Mes tensione është zhvilluar ditën e sotme Konferenca e Kryetarëve, një ditë pas zbardhjes së opinionit të Komisionit të Venecias në lidhje me mandatin e Olta Xhaçkës.
Deputetja e PD Ina Zhupa, i është drejtuar me tone të ashpra socialistes Elisa Spiropali duke i thënë se Komisioni i Venecias konfirmon drejtësinë e betejës së opozitës dhe nuk i jep të drejtë mazhorancës.
“Kjo konferencë kryetaresh duhet kishte pikë të parë ndjesën tuaj për vërdallisjen dy vjeçare për të mbrojtur Edi Ramën me mandatin e Olta Xhaçkës. Qartësisht Komisioni i Venecias konfirmon drejtësinë e betejës së opozitës, duke thënë atë që çdo jurist e dinte, që zbatimi i vendimeve të GJK është i panegociushëm dhe nuk mund të varet nga vullneti politik i një mazhorance.
Znj. Spiropali investove komisionin e Venecias qe më pas mos ta zbatoje atë që thotë Komisioni Venecias, edhe flisje sikur kishe lexuar gjuhë marsiane. Me logjikën tuaj Ju jeni mbi Kushtetutën, me logjikën tuaj Deputeti është mbi kushtetutën dhe vendimet e gjykatës kushtetuese dhe jo e kundërta. Me këtë puç kushtetues ju jepni fund shtetit të së drejtës dhe legjitimoni që jemi në diktaturë”, u shpreh ajo.
Zhupa më tej kërkoi në emër të grupit: Mos mbani peng Kuvendin për interesa klienteliste, të fusni të enjten për votim raportin dhe ta dërgoni menjëherë po nesër në Gjykatën Kushtetuese.
Top Channel