Ndotja e ajrit në disa qytete edhe në vitin 2023 u shfaq problematike me disa tregues që ishin mbi norma.
Raporti i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, i publikuar së fundmi, tregon se në periudha të caktuara në zona të caktuara tregues të ndryshëm të dëmshëm shfaqen në tejkalim të parametrave të lejuar.
Së pari, analizohet gjendja e grimcave të pluhurit (PM10 dhe PM 2.5). Sipas AKM bazuar në rezultatet e monitorimit kemi tejkalim të normës vjetore të PM10 (40 µg/m3 ), në stacionin e Tirana Higjiena dhe në stacionin e Elbasanit.
“Në stacionin e Tirana Higjiena kemi një tejkalim të normës vjetore të PM10 në masën 35.4%, ndërsa në stacionin e Elbasanit kemi një tejkalim të normës vjetore në masën 19.62%.
Referuar të dhënave vjetore në stacionin e Korçës, Tirana AKM dhe Tirana MTM, vlerat e PM10 i përafrohen normës vjetore, ndërsa referuar të dhënave mujore kemi tejkalim të normës vjetore të PM10 në stacionin e Korçës vetëm në muajt Janar, Shkurt dhe Dhjetor 2023.
Kjo tregon që kemi rritje të grimcave të pluhurit PM10 vetëm në periudhën e ftohtë të vitit, si rezultat i përdorimit të lëndëve fosile ose drurit për ngrohjen e banesave. Vlera mesatare e PM10 për të tre muajt Janar, Shkurt dhe Dhjetor 2023 është 59.51 µg/m³ dhe kemi tejkalim të normës vjetore të PM10 (40 µg/m³) prej 48.8% vetëm gjatë dimrit” thuhet në raport.
I njëjti raport vlerëson se duke iu referuar të dhënave ditore të PM10, krahasuar me normën ditore (50 µg/m³ ) kemi tejkalim të normës ditore të PM10 në stacionet e Durrësit, Elbasanit, Korçës, Tirana ASHR, Tirana AKM dhe Tirana MTM në periudhën Janar –Mars , Korrik dhe Dhjetor.
Sa i takon treguesit PM2.5 referuar të dhënave mujore, kemi tejkalim të normës vjetore të PM2.5 në stacionin e Korçës në muajt Janar, Shkurt dhe Dhjetor 2023.
“Ashtu si në rastin e PM10 kemi rritje të grimcave të PM2.5 vetëm në periudhën e ftohtë të vitit, kjo si rezultat i përdorimit të lëndëve fosile ose drurit për ngrohje në këtë qytet. Vlera mesatare e PM2.5 për të tre muajt Janar, Shkurt dhe Dhjetor 2023është 44.47µg/m³ e shprehur në % kemi tejkalim të normës vjetore të PM2.5 prej 77.9%” nënvizon AKM.
Duke u ndalur në treguesin e dioksidit të azotit raporti vlerëson se kemi tejkalim të normës vjetore të NO2 në stacionin e Tirana ASHR në muajt Janar, Gusht, Shtator, Tetor, Nëntor.
Në muajt e tjerë të vitit vlerat mesatare mujore të NO2 janë shumë afër normës por nuk e tejkalojnë atë. Kjo rritje vjen si rezultat i qarkullimit të automjeteve shpesh herë me trafik të rënduar. Dioksidi i azotit nga ana tjetër sipas matjeve nuk rezulton në tejkalim në asnjë prej stacioneve.
Monitorimi i SO2 për vitin 2023 është realizuar në stacionet e Tirana Sauk, Tirana ASHR, Durrësit, Fierit, Shkodrës, Korçës dhe Elbasanit. Bazuar në të dhënat e monitoruara rezulton se në asnjë stacion nuk kemi tejkalim të vlerës limite ditore dhe as të vlerës limite orare për SO2.
Sa i takon monoksidit të karbonit, matja është realizuar në stacionet e Durrësit, Elbasanit, Fierit, Korçës, Shkodrës, Tirana ASHR dhe Tirana Sauk. Bazuar në vlerat mesatare vjetore nivelet më të larta të CO janë monitoruar nënstacionin e Elbasanit./ Monitor