Biznesmeni Ylli Ndroqi ka reaguar pas shpalljes “non-grata” nga Departamenti i Thesarit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke thënë se do të kërkojë që vendimi të rishikohet dhe emri i tij të hiqet nga lista.

“Kam respektuar ligjet e RSH duke kontribuar për ekonominë e vendit.  Vlerësoj të ndaj me publikun faktin se nuk kam mbajtur asnjë pozicion në administratën shtetërore”, shprehet Ylli Ndroqi.

Ai thotë se vendosja e emrit të tij në këtë listë, sipas legjislacionit amerikan, është e rishikueshme ndaj do të kërkojë heqjen e emrit të tij nga lista.

“Kam qenë dhe mbetem mbështetës i reformave të kryera në vend duke përfshirë Reformën në Drejtësi dhe mbi të gjitha jam dhe mbetem mbështetës i interesave të SHBA në vend dhe më gjerë dhe besoj fort që miqësia midis vendit tonë dhe SHBA është e një rëndësie thelbësore dhe bazohet në vlerat e demokracisë dhe shtetit të së drejtës”, shprehet Ndroqi.

“Vlerësoj me rëndësi të sqaroj publikun se sipas legjislacionit amerikan vendosja e emrit në këtë listë është e rishikueshme dhe nuk ka të bëjë me asnjë nga rastet e mëparshme në Shqipëri. Shpreh besimin që ky vendim do të rishikohet dhe emri do të hiqet nga kjo listë”, përfundon Ndroqi