Jo vetëm emrin tregtar të barit, por, tashmë edhe emrin xhenerik të medikamentit, për të shmangur çdo lloj abuzimi nga farmacistët.
Nga data 1 gusht, ndryshon formati i recetës mjekësore. Sipas Ministres së Shëndetësisë Albana Koçiu, receta e re mjekësore do të shërbej në gjithë sistemin shëndetësor publik dhe privat.
“Receta e re mjekësore krahas atyre standardeve me informacionet bazë ka të domosdoshme vendosjen e diagnozës. Kjo ju lehtëson juve që të jeni më të qartë lidhur me ato barna të cilat do t’i jepni pacientit. Kjo është një garanci më shumë për të siguruar që pacienti po merr medikamentet e duhura nga profesionistët e duhur të shëndetësisë“, nënvizoi Koçiu.
Formati i ri, u vjen në ndihmë edhe një kategori të caktuar pacientësh, siç janë ata të sëmundjeve kronike.
Këta pacientë, që përdorin të njëjtat ilaçe në një periudhë afatgjatë, trajtimin mund ta marrin deri në 6 muaj. Kjo u lehtëson atyre mundësin për tu paraqitur çdo muaj te mjeku.
“Mjekët do të kenë mundësinë të lëshojnë recetë mjekësore deri në 6 muaj, në rastet kur pacientët do të kenë nevojë për trajtim afatgjatë, si dhe me përmbajtjen dhe të dhënat e kërkuara për plotësim, rritet me tej siguria e pacientëve në marrjen e barnave”
Sipas Koçiut, receta e re mjekësore e unifikuar shënon një hap të rëndësishëm për më shumë cilësi, siguri dhe lehtësi për pacientët dhe profesionistët e shëndetësisë./abcnews.al