Në GJKKO po vijon shqyrtimi i çështjes ndaj Redjan Rrajës, të riut nga Fushë-Kruja i cili është vënë nën akuza të rënda nga prokuroria.

Ai dje u rinjoh me deklarimet që ka bërë menjëherë pas arrestimit si i përfshirë në atentatin ndaj ish-prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, bashkë me dy persona të tjera.

Redjan Rraja, i akuzuar për atentatin ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, mohon akuzën në sallën e gjyqit.

“Nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen”, tha Rraja, ndërsa nuk dha pëlqim për t’u pyetur në proces. Në vijim, prokurori Adnand Xholi lexoi deklarimet e dhëna në vitin 2019, ku po ashtu Rraja ka mohuar përfshirjen e tij në ngjarje. Njëkohësisht, Gjykata e Posaçme delegjitimoi nga procesi një prej avokatëve të Rrajës, Alban Bengasi, i cili është shpallur në kërkim nga SPAK për dosjen “Plumbi i artë”.

Gjykata theksoi se avokati Bengasi nuk legjitimohej, pasi ndaj tij ishte dhënë një masë sigurie “Arrest në burg”.

I pyetur nga prokurori në lidhje me faktin se profili i AND-së së tij përputhet me atë të gjetur në atë të sendeve të sekuestruara në automjetin e atentatorëve të Ndojës, Rraja është përgjigjur.

“Më janë marrë dy herë mostrat e pështymës dhe gjurmët e gishtave në Drejtorinë e Policisë. Nuk e di si janë përdorur. Në një rast më janë marrë pa avokat, edhe pse kam kërkuar praninë e tij. Po ashtu, më kanë marrë shumë rroba në makinën time pas arrestimit”.

Në atentatin me armë në autostradën Tiranë-Durrës, më 1 nëntor 2019 mbeti i vrarë shoferi i Arjan Ndojës, shtetasi Andi Maloku, 30 vjeç, dhe u plagos vetë prokurori. Për këtë ngjarje, të arrestuarit e vetëm janë Redjan Rraja dhe Edjol Halili, ndërkohë që nuk janë identifikuar urdhëruesit e atentatit.