Gazetari Gjergj Figuri ka dhënë më shumë detaje lidhur me atë që ka dëshmuar para prokurorëve portugezi Ruben Saraiva, i arrestuar për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin në prill të vitit të kaluar. Ai ka refuzuar të bashkëpunojë me drejtësinë dhe ka mohuar të jetë përfshirë në ngjarje.

“Pritej ku vendim i Saraevës për shkak se edhe në momentin e parë kur është paraqitur në gjykatë ka deklaruar se ka qenë në Shqipëri si turist dhe se nuk ka qenë i përfshirë. Edhe sot ka mbajtur të njëjtin qëndrim.“, tha gazetari për atë që ka deklaruar Saraiva për dy orë para prokurorëve të çështjes.

“Pritet që të ketë një tjetër marrje në pyetje për t’i ofruar sërish mundësinë që të jetë bashkëpunëtor i drejtësisë por duhet pritur edhe kjo marrje në peytje pasi në momentin e parë ka refuzuar jo thjesht të jetë bashkëpunëtor por edhe të jetë i përfshirë në ngjarje. Por prokurorët po tentojnë të shikojnë nëse ka devijime në dëshmi në mënyrë që të mund të zbulojnë sa më shumë të dhëna prej tij rreth aktivitetit në Shqipëri gjatë qëndrimit, vrasjen dhe largimin e tij nga vendi“, shtoi gazetari.

Kujtojmë që biznesmeni u vra me 19 Prill teksa po pinte kafen në lokalin e tij në Shëngjin. Sipas hetimeve, vrasja është porositur nga Edmond Haxhia. Ruben Saraiva luajti rolin e ekzekutorit ndërsa britanikët, Stephen Hunt, Thomas Mithan, Harriet Bridgeman, dhe për Harry Simpson, ishin vëzhguesit.