Trajneri Edy Reja, bashkë me kapitenin kuqezi, Etrit Berisha, dolën në konferencë për shtyp, në prag të ndeshjes me Anglinë. Duke konfimruar mungesën e madhe të Marash Kumbullës, i dëmtuar në transfertën me Andorrën, trajneri italian bëri edhe prgnozën e një sfide tepër të vështirë me “Tre Luanët”:
“Sigurisht, Anglia është një skuadër shumë e fortë. Nuk ka diskutim. Ka një grup të rinjsh shumë cilësorë. Ata po përgatiten edhe për Europianin e kësaj vere dhe po e bëjnë këtë shumë mirë. Harry Kane është e tashmja dhe ka shumë cilësi, Foden dhe Mount janë të rinj, janë e ardhmja e Anglisë; kanë mundësi për t’u rritur dhe të tregojnë aftësitë e tyre në vazhdimësi. Kane është lojtari më i rrezikshëm që ka Anglia në këto momente.
Motivimi është i madh për këtë ndeshje, sepse përballë do të kemi një nga kombëtaret më të forta në Europë. Më shumë është çështje tensioni dhe pjekurie. Duhet shumë kujdes, sepse Anglia ka të rinj të shpejtë, agresivë dhe teknikë. Duhet t’iu lëmë sa më pak hapësira e të jemi sa më të qetë.
Broja titullar? Për mua të gjithë janë njësoj, si Broja dhe të tjerët. Para ndeshjes do ta merrni vesh kush do të luajë nga minuta e parë. Është edhe Cikalleshi e Manaj. Do të shohim. Ka mundësi ta nisë nga fillimi, sepse e njeh mirë Anglinë, por ende nuk kemi vendosur cili do të luajë nesër nga minuta e parë.
Mungesa e Kumbullës? Kemi zgjidhje të tjera; si Ismajli, Gjimshiti dhe Veseli. Ky i fundit ka luajtur mirë kohët e fundit dhe mund ta aktivizojmë në qendër, ku ka luajtur edhe te Salernitana. Mund ta aktivizojmë. Në zemër të zonës, aty luan edhe Kane, Gjimshiti është më i duhuri dhe ka staturën e duhur për të përballuar një sulmues të tillë.
Nuk kemi problem alternativash në mbrojtje. Më vjen keq për Kumbullën, sepse po luante mirë edhe me Romën. Për shkak të këtij shqetësimi, pas konsultës u vendos të mos e rrezikojmë në këto dy ndeshje.
Kundërshtari? Anglia shënoi 5 gola me San Marinon dhe nuk toleron askënd. Me ta duhet të jemi shumë të zotë faktikisht, por nuk mund të rrimë 90 minuta në mbrojtje. Duhet t’i mbajmë në tension gjatë gjithë kohës, kemi lojtarët e duhur për ta bërë këtë. E respektojmë Anglinë, por duam të marrim rezultat pozitiv”.