Kreu i SPAK Altin Dumani ka folur sot për rekomandimet që kanë mbërritur për Prokurorinë e Posaçme nga Këshilli i Ministrave.

Gjatë fjalës së tij për mediat, Dumani u shpreh ndër të tjera se SPAK po përpiqet që rekomandimet të përmbushen dhe të gjejnë zbatim.

Por ai theksoi se disa nga rekomandimet janë në terma të përgjithshme, ose nuk janë të shoqëruara me statistika dhe analiza krahasuese, duke i bërë ato të duken subjektive dhe vështirë për t’u zbatuar në praktikë.

“Po përpiqemi që rekomandimet të gjejnë zbatim. Disa rekomandime nuk shoqërohen me të dhëna statistikore dhe analizë krahasuese apo tregues konkretë që justifikon kërkesën për ndërhyrjen, dhe i bën të duken subjektive dhe vështirë të matshme, sidomos për SPAK që funksionon mbi bazën e efikasitetit dhe rezultateve dhe besueshmërinë publike.

Në një pjesë të tyre përdorin përkufizime të përgjithshme, dhe kjo krijon pasiguri për zbatim praktik dhe mund të çojë në interpretim të ndryshme. Në tërësi janë të mirëpritura rekomandimet dhe ne shprehim gatishmëri që të jenë prioritet, por disa të tjera nga mënyra e formulimit paraqesin vështirësi për përmbushje nga ana praktike”, u shpreh ai ndër të tjera.