
Gjykata e Lartë vendos këtë të martë për ish-Prokurorin e Përgjithshëm Adriatik Llalla, i cili prej më shumë se 2 vitesh ndodhet në kërkim.
Ish-zyrtari i lartë i drejtësisë ka depozituar rekurs mbi vendimin e dënimit të tij me 2 vite burg për mosdeklarim e fshehje pasurie.
Vendimi do të merret në dhomë këshillimi, ndërsa më herët GJL-ja i ka refuzuar Llallës kërkesën për pezullimin e dënimit për arsye shëndetësore.
Llalla është strehuar në Itali ku i është bllokuar pasaporta, ndërsa me vendim të formës së prerë i janë sekuestruar disa pasuri, ndër to një apartament në Durrës dhe sipërfaqe toke në periferi të Tiranës.
Ish-kryeprokurori Llalla, u shpall fajtor për mosdeklarim dhe fshehje pasurie në 3 episode, mosdeklarimin e një shumë prej rreth 7 mije dollarësh për lindjen e djalit të tij jashtë vendit, shpenzimet për ndërtimin e katit të tretë të banesës, si dhe shkollimin e vajzës së tij në Gjermani.
Po ashtu në bazë të dënimit plotësues ish-kryeprokurori për 5 vite nuk duhet të ushtrojë asnjë funksion publik.
