Sa vjen e rëndohet situata nga helmimi masiv në Deçan të Kosovës, ku deri më tani raportohet se, një person ka humbur jetën, ndërsa numri i personave që kanë shkuar në spital ka shkuar në 884.
Nga hetimet e para dyshohet se shkak i helmimit mund të jetë uji i ujësjellësit, por megjithatë priten ende analizat mikrobiologjike të ujit.
Kryetari Komunës së Deçanit Bashkim Ramosaj, hedh dyshime se ngjarja mund të jetë e qëllimshme, ndërsa thotë se kjo është hera e dytë brenda një muaji që ndodhin helmime. Ai u shpreh se është vendosur që uji të mos përdoret më, deri sa të dali përgjigjja e analizave.
“Është hera e dytë brenda një muaji që po raportohet e njëjta skenë që na bën të mendojmë se ngjarja mund të jetë e qëllimshme. Prokuroria dhe hetuesit po merren me ngjarjen. Nëse analizat mikrobiologjike e nxjerrin ujin të dëmshëm, për personat përgjegjës do të ndërmerren masa ndëshkuese politike, ligjore e administrative”, tha ai.
Rastet e helmimit filluan që para dy ditësh, ku persona nga fshatrat Irzniq, Prilep e Lugu i Branit, kërkuan ndihmë në spital, pas shfaqjes së simptomave, ndërsa dyshimet janë te uji për shkak se këto fshatra furnizohen të gjithë nga i njëjti ujësjellës.
Edhe banorët janë shprehur se rrjeti i ujësjellësit është i amortizuar dhe ka shumë probleme. Furnizimi me ujë në këto fshatra është ndërprerë deri në daljen e përgjigjes së analizave.
FAX WEB