Një megaoperacion i gjerë është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje në qytetin e Durrësit, ku forcat speciale RENEA, të mbështetura nga Policia e Durrësit dhe Policia e Shtetit, kanë realizuar disa arrestime.
Operacionet janë përqendruar kryesisht në zonat e Shijakut, Sukthit dhe Durrësit.
Sipas burimeve nga Policia e Durrësit, një numër i konsiderueshëm personash janë shoqëruar për në komisariat për hetime të mëtejshme. Megjithatë, deri më tani nuk janë dhënë detaje të plota mbi identitetin e të arrestuarve apo natyrën e veprave penale të dyshuara.
Drejtoria e Policisë së Durrësit ka njoftuar se do të mbajë një konferencë për shtyp rreth orës 10:00 të mëngjesit, ku pritet të ofrohen informacione të plota mbi zhvillimet e operacionit dhe rezultatet e tij.
Ky aksion vjen pas një serie operacionesh të ngjashme në të gjithë vendin, ku janë lëshuar mbi 200 urdhër-arreste për individë të dyshuar për trafik droge dhe krime të tjera të rënda./mcn