Reshjet e pandërprera të dëborës që vijojnë të bien që prej natës së djeshme kanë bllokuar disa fshatra malore në rrethin e Skraparit.
Sipas informacioneve të marra bëhet me dije se në disa zona rreth Tomorit trashësia e dëborës ka arritur në 25-30 cm. Edhe pse raportohet se të gjitha akset nacionale të qarkut të Beratit janë të hapura dhe me qarkullim të pandërprerë, 5 fshatra rreth Tomorit janë të izoluara nga dëbora që prej mëngjesit të sotëm.
Fshatrat: Gjerbës, Qafë Dëvri, Leshnje, Gërdec dhe Zaloshnje janë të izoluar nga dëbora,ndërkohë që fshatrat: Potom, Gjerbës, Leshnje e Tomorr në bashkinë Skrapar dhe fshatrat: Tomorricë e Karakanjoz në bashkinë Poliçan janë pa energji elektrike prej disa orësh. Burimet zyrtare nga OSHEE-ja Berat konfirmojnë se të gjitha ekipet janë në terren dhe po punojnë për rikthimin sa më të shpejtë të energjisë elektrike në të gjitha zonat ku ka probleme me ndërprerjen e energjisë.