Reshjet e dendura të dëborës kanë shkaktuar vështirësi në qarkullim në disa zona të vendit.
Gjithashtu disa njësi administrative në Kukës, Tropojë dhe Dibër dhe bashkitë Pogradec, Devoll dhe Maliq janë pa energji elektrike.
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në qarkun e Kukësit, trashësia e borës në zonat e thella malore ka kaluar mbi 20 cm, por rrugët nacionale kanë qenë të qarkullueshme me zinxhirë. Nga subjektet kontraktore është punuar gjatë gjithë kohës për pastrimin, kriposjen dhe mbajtjen funksionale të rrugëve që kanë kontratë.
Në disa rrugë në zona të thella rekomandohet lëvizja me zinxhirë. Furnizimi me energji elektrike është normal në të gjithë territorin e Qarkut Kukës, përveç njësive administrative Shishtavec, Topojan, Zapod, Malzi, Kolsh, Surroj, Ujmisht, Bushtricë, Grykë-Çajë, Kalis dhe Arrën, bashkia Kukës; njësive administrative Golaj dhe Gjinaj, bashkia Has; njësive administrative Tropojë e Vjetër, Bytyç dhe Llugaj, bashkia Tropojë.
Reshje periodike shiu ka patur edhe në qarkun e Elbasanit. Kjo ka shkaktuar fryrje të Përroit të Zaranikës, por pa rrezik për dalje nga shtrati.
Në akset rrugore Elbasan-Qafë Thanë, Gramsh-Moglicë, Elbasan-Gjinar, Librazhd-Steblevë ka patur prani inertesh që janë pastruar vazhdimisht nga firmat kontraktuese. Nuk ka patur asnjë ndërprerje të qarkullimit të automjeteve në të gjithë qarkun.
Në qarkun e Korçës, reshjet e borës filluan në orët e mbrëmjes së djeshme, por më pas intensiteti i tyre ka rënë. Reshjet janë shoqëruar dhe me erë të fortë. Trashësia e dëborës ka arritur 5-10 cm. Ka patur lëvizje të shtuar të automjeteve në rrugën turistike Boboshticë-Dardhë, ku dhe është përqendruar vëmendja e Drejtorisë Qendër-Lindje, subjektit përkatës dhe strukturave të policisë.
Nga era e fortë ka patur ndërprerje të energjisë elektrike në bashkinë Pogradec, Devoll dhe Maliq, por grupet e punës së OSHEE janë në terren, për të rivendosur lidhjet.
Nga të gjitha qarqet e tjera të vendit nuk janë raportuar probleme nga kushtet e motit.
Ministria e Mbrojtjes, Agjencia e Mbrojtjes Civile u bëjnë thirrje qytetarëve të kufizojnë lëvizjet në zonat ku ka prani akulli dhe të qarkullojnë të pajisur me goma dimërore e zinxhirë, sipas udhëzimeve të autoriteteve.
Top Channel