Përmbytjet e vazhdueshme dhe dëmtimi i rrugës si pasojë e vërshimit të ujërave kanë ngritur në protestë banorët e fshatit Gjorm, në Bashkinë Kurbin.

Në shenjë indinjate ndaj mosveprimit të pushtetit vendor dhe atij qendror për parandalimin e përmbytjeve, banorët bllokuan për disa minuta rrugën nacionale Laç–Mamurras, ku nuk munguan as përplasjet me efektivët e policisë.

Sipas banorëve, kjo situatë është e përsëritur dhe vjen si rezultat i mungesës së ndërhyrjeve për pastrimin dhe sistemimin e kanaleve kulluese. Kjo bën që zona të përmbytet sa herë ka reshje të dendura shiu, duke rrezikuar banesat dhe jetesën e tyre.

Në mbështetje të protestës ishte edhe deputeti i Partisë Demokratike, Kastriot Piroli, i cili u shpreh se Bashkia Kurbin është lënë në mëshirë të fatit dhe se kjo situatë është e papranueshme për banorët e zonës.

Gjormi mbetet një nga zonat më të prekura nga përmbytjet në Bashkinë Kurbin. Kjo situatë është përsëritur brenda një harku kohor prej rreth gjashtë javësh, duke shkaktuar dëme të shumta materiale dhe vështirësi serioze në jetën e përditshme të banorëve.