Manchester United nuk po kalon një kohë të mirë dhe humbja ndaj City në fundjavë ka vënë sërish në dyshim qasjen e skuadrës. Dhe, mbi të gjitha, ka errësuar më tej të ardhmen e Solskjaer. Por ky nuk është shqetësimi i vetëm i trajnerit norvegjez, pasi sipas “Daily Mail”, i ka shpërthyer edhe revolta në dhomën e zhveshjes. Tashmë ka zëra kritikë kundër menaxhimit të tij brenda lojtarëve.
Disa senatorë janë të pakënaqur me trajnerin. Njëri prej tyre, sipas informacioneve të gazetës angleze, është Bruno Fernandes. Portugezi konsideron se taktikat dhe drejtimi i Solskjaer nuk janë adekuate. Krahas kësaj, Cristiano Ronaldo, i cili po mban skuadrën me golat e tij, është i alarmuar nga rënia e nivelit të “Djajve të Kuq”, çka e ka vënë re me rikthimin e tij në “Old Trafford”.
Ka disa situata në skuadër, që lojtarët nuk i konsiderojnë të drejta. Futbollistët e Manchester United simpatizojnë Donny van de Beek, i cili mezi po merr shanse të vockla nga Solskjaer. Lojtarët kryesorë konsiderojnë se Solskjaer nuk po e trajton mirë.
Në dhomat e zhveshjes, nga ana tjetër, përjetohet edhe ndjesia se trajneri bën favorizime ndaj disa lojtarëve dhe është tepër i butë me menaxhimin e grupit. Ky është rasti i Harry Maguire, i cili nuk po kalon momentin më të mirë dhe vazhdon të luajë.
Sipas “Daily Mail”, Manchester United po konsideron shkarkimin e Ole Gunnar Solskjaer. Edhe pse plani fillestar ishte që norvegjezi të mbahej në krye deri në fund të sezonit, humbjet ndaj Liverpool-it, një skuadër që i turpëroi “Djajtë e Kuq” në fushën e tyre (0-5), dhe këtë fundjavë kundër Manchester City, mund t’i përshpejtojnë ngjarjet.
Pavarësisht situatës, Solskjaer pretendon se është i qetë. I pyetur nëse ka filluar të mendojë për të ardhmen larg Manchester United, ai tha: “Jo, nuk po e bëj këtë. Kam komunikim të mirë me klubin gjatë gjithë kohës, jemi shumë të sinqertë dhe të vetëdijshëm për situatën. Unë punoj për Manchester United dhe dua më të mirën për ekipin. Derisa jam këtu, do të bëj ç’është e mundur për ta përmirësuar këtë situatë”.