Eksploruesit kanë gjetur një anije të fundosur në thellësinë më të madhe të identifikuar ndonjëherë më parë. Bëhet fjalë për një anije të marinës amerikane e fundosur gjatë Luftës së Dytë Botërore. USS Samuel B Roberts u fundos gjatë betejës së ‘Off Samar’ në Detin Filipine në Tetor 1944. Ajo ndodhet 6,895 metra nën ujë.
Ishte miliarderi dhe aventurieri nga Teksas, Victor Vescovo, i cili e zbuloi “Sammy B”, falë nëndetësje që ka në pronësi e cila shkon në thellësi të mëdha. Anija është e dëmtuar, por e pa shpërbërë. Ajo është e famshme për rezistencën e saj të fundit heroike kundër japonezëve.
Me pak njerëz në bord dhe me municione drejt fundit, anija luftarake arriti të ndalonte dhe të pengonte disa anije armike përpara se të mposhtej. Nga ekuipazhi prej 224 personash i Samuel B Roberts, 89 u vranë. 120 të mbijetuarit qëndruan në gomone për 50 orë, derisa u shpëtuan.
Victor Vescovo, një rezervist i marinës në kohën e tij, tha se gjetja e vendndodhjes së anijes ishte një nder i jashtëzakonshëm. Falë kësaj gjetjeje Vescovo shprehet se tashmë është në gjendje të ritregojë historinë e saj të mrekullueshme të heroizmit dhe devotshmërisë.
“Ne na pëlqen të themi se çeliku nuk gënjen dhe se rrënojat e këtyre anijeve janë dëshmitarët e fundit të betejave që ata luftuan”, tha ai për BBC News.
Në imazhet e kapura nga nëndetësja është e mundur të shihet struktura e anijes, armët dhe tubat e silurëve. Sammy B ka vrima të bëra nga predhat japoneze dhe ka prova në pjesën e pasme, të një goditjeje masive. Beteja ‘Off Samar’ është përshkruar si një nga betejat më të mëdha detare në histori. Disa anije nga të dyja anët humbën në thellësi.
Vitin e kaluar, Vescovo arriti të gjente luftanijen USS Johnston në një thellësi prej 6,460 metrash. Sipas asaj që shkruan BBC, është e mundur që ka të tjera anije, që mund të gjenden edhe më thellë se Sammy B ose Johnston.