
Mes kandidatëve të mundshëm për ambasadorë të SHBA-së në Kombet e Bashkuara, është edhe Rihcard Grenell, e pohuar kjo nga vetë presidenti amerikan Donald Trump.
Trump tërhoqi javën që shkoi nominimin e përfaqësueses Elise Stefanik për këtë detyrë për shkak të shqetësimeve se dalja e saj nga Dhoma e Përfaqësuesve mund të kërcënojë shumicën e ngushtë të republikanëve.
I pyetur se kë po konsideronte të vendoste në vend të saj, kreu i Shtëpisë së Bardhë u përgjigj se rreth 30 persona janë interesuar për këtë pozicion, e mes tyre përmendi Grenellin, aktualisht i dërguar special për administratën e tij si edhe David Friedman, ish ambassador në Izrael gjatë mandatit të parë të Trump në detyrë.
“Ne kemi shumë njerëz të mirë që kanë shprehur interes”, u tha Trump gazetarëve në Zyrën Ovale. “Janë shumë që do të donin ta bënin, David Friedman, Rich Grenell, janë gati 30 persona. Të gjithë e duan atë pozicion…”, ishte komenti i tij.
Gjatë mandatit të parë të Donald Trumpit, si ambasadore e SHBA-së në Kombet e Bashkuara shërbeu ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut, Nikki Haley, e cila vitin e kaluar kandidoi kundër Trumpit për nominimin presidencial republikan, por nuk arriti ta fitonte garën.
