Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Ilirjan Celibashi, ka njoftuar se ditën e nesërme, e martë 17 qershor, do të nisë procesi i rinumërimit, një nga operacionet më të rëndësishme zgjedhore pas votimit. 

Nesër nis rinumërimi në katër qarqe, për Tiranën, Fierin, Durrësin dhe Elbasanin, ku në total do të hapen 2.323 qendra votimi, përfshirë edhe 85 kutitë e votimit nga jashtë vendit. 

Siç ka bërë me dije edhe më herët KQZ, i gjithë procesi i rinumërimit do të realizohet në Pallatin e Sportit Farie Hoti në Tiranë. 

Njoftimi:

Procesi i rinumërimit nis nesër në datë 17 Qershor 2025.

Vendimi i Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka vënë në lëvizje KQZ dhe një nga operacionet më të rëndësishme zgjedhore pas votimit: rinumërimin e kutive të votimit. Ky proces garantohet nga profesionalizmi i administratës së KQZ-së dhe transparenca ndaj publikut duke transmetuar direkt online çdo veprim të kryer!

Çfarë përfshin rinumërimi

Në total, do të hapen 2.323 qendra votimi, përfshirë edhe 85 kutitë e votimit nga jashtë vendit.
Procesi zhvillohet nga 24 grupe numërimi, me 63 punonjës të administratës (48 numërues + 15 zëvendësues).
Rinumërimi realizohet në 24 tavolina, ku janë të pranishëm vëzhguestë autorizuar nga 3 subjektet ankimuese: Koalicioni PD-ASHM, PS dhe Partia Mundësia.

Ku po zhvillohet rinumërimi? I gjithë procesi realizohet në Pallatin e Sportit Farie Hoti në Tiranë dhe transmetohet live në rrjetet sociale të KQZ

Për cilat qarqe zhvillohet rinumërimi?

QARKU TIRANË
Të gjitha kutitë e votimit brenda vendit
18 KZAZ
1.282 qendra votimi

QARKU FIER
Të gjitha kutitë për subjektet dhe kandidatët
9 KZAZ
587 qendra votimi

QARKU DURRËS
Rinumërim i plotë për:
▪️ 111 QV të KZAZ nr. 21 dhe 22
▪️ 126 QV të listuara nga PD-ASHM
▪️ 60 QV të kërkuara nga PLL
Përfshirë edhe 85 kuti nga votimi jashtë vendit
Në total: 360 kuti për rinumërim (275 brenda vendit + 85 jashtë)

QARKU ELBASAN
94 QV të KZAZ nr. 45 dhe 52 (fletë votimi dhe materiale zgjedhore)

Transparencë edhe për buxhetin:
7.858.600 lekë për sistemin e regjistrimit dhe transmetimit online të rezultateve
8.480.000 lekë për infrastrukturën logjistike
4.775.450 lekë për zarfe dhe materiale ndihmëse

Procesi i rinumërimit është një tjetër dëshmi e përkushtimit të KQZ-së për zgjedhje transparente, të besueshme dhe gjithëpërfshirëse.