Punimet për zgjerimin e autostradës, në segmentin nga Tirana në Qafë Kashar po vijojnë me ritme të shpejta dhe sipas Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), do të përfundojnë brenda këtij viti. Rruga e re do të jetë e kategorisë A dhe në të shpejtësia e lejuar do të jetë 130 km/h.

Inxhinierja e Sektorit të Menaxhimit të Projekteve, Adja Sefa bën me dije se si pasojë e punimeve, trafiku i mjeteve që vijnë nga Durrësi drejt kryeqytetit është devijuar në korsitë e reja, me qëllim vijimin e punimeve në korsitë ekzistuese.

Ndërkohë, Sefa thekson se pavarësisht afatit kontraktual që është shtatori 2026, pritet që punimet të përfundojnë në dhjetor të këtij viti. 

“Është punuar me ndërtimin e dy korsive të reja në të dyja anët e rrugës. Trafiku i mjeteve nga Durrës drejt Tiranës është devijuar në dy korsitë e reja, me qëllim vijimin e punimeve në korsitë ekzistuese. Duke qenë se punimet kanë ecur me ritme të kënaqshme, edhe pse afati kontraktual është shtatori 2026, pritet që punimet të përfundojnë në dhjetor të vitit 2025.”, tha Sefa për mediat.