Njoftimi i policisë:
Durrës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Baza”.
Operacioni, rezultat i inteligjencës policore të siguruar nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, u zhvillua në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe me Komisariatin e Policisë Durrës.
Kishte përshtatur një banesë, për të riparuar dhe për të tregtuar armë zjarri, fishekë armësh dhe sende të tjera, që i siguronte për llogari të grupeve kriminale, arrestohet 38-vjeçari, shtetas me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Sekuestrohen 1 armë zjarri tip “Scorpion” me silenciator, 3 skelete pistoletash, një sasi e konsiderueshme municioni luftarak, 9 celularë dhe 5 ora dore të markave të ndryshme.
Si rezultat i punës policore intensive, 24/7, në çdo skaj të territorit të qarkut, për qëllimet madhore: shkatërrimin e grupeve kriminale, parandalimin e ngjarjeve kriminale, si dhe për identifikimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasve që sigurojnë apo posedojnë asete për llogari të grupeve kriminale, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Durrës, të mbështetur nga informacionet e siguruara nga inteligjenca policore, kanë organizuar dhe kanë finalizuar në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me ato të Komisariatit të Policisë Durrës, operacionin policor të koduar “Baza”.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë zbuluan një banesë që ishte përshtatur për riparimin dhe për shitjen e armëve, municionit luftarak dhe sendeve të tjera që dyshohet se siguroheshin për t’u përdorur nga grupe kriminale.
Gjithashtu, u vu në pranga pronari i banesës, shtetasi L. L., 38 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.
Në cilësinë e provës materiale u gjetën dhe u sekuestruan 1 armë zjarri tip “Scorpion” me silenciator, 3 skelete pistoletash, një sasi e konsiderueshme fishekësh të armëve të zjarrit dhe të gjahut, 9 celularë dhe 5 ora dore të markave të ndryshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.