Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë janë mbledhur sot për të shqyrtuar ndryshimin e praktikës lidhur me qëndrimin që duhet mbajtur për masën e arrestit në burg, kur ajo vendoset mbi bazën e rrezikshmërisë së veprës.

Pak para nisjes së mbledhjes, prokurori Arqile Koça kërkoi që seanca të zhvillohet me dyer të mbyllura, duke argumentuar se personi në fjalë është nën hetim. Nga ana tjetër, avokati Luan Hasnëziri theksoi se çështja ka interes publik, por u shpreh dakord që për pjesën konkrete diskutimi të bëhet pa praninë e mediave.

Pas këtyre qëndrimeve, Kolegjet e Bashkuara u tërhoqën për vendimmarrje, duke vendosur që shqyrtimi të zhvillohet në dy faza, ku pjesa e parë do të jetë në praninë e medias.

Sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha, tre janë pikat kryesore mbi të cilat pritet të rishikohet vendimi i vitit 2011 për rastin Ilir Kumbaro, i cili ka shërbyer si orientim për gjyqtarët.

Gjykata e Lartë ka marrë shkas nga qëndrimet e Strasburgut për rastin e Thoma Gëllçit, ku u theksua se nuk mjafton vetëm dyshimi për të justifikuar arrestin, sidomos kur hetimet vijojnë pa afat, si edhe nga dy raste të tjera dhe ndryshimet ligjore.

Në seancë pritet parashtrimi i çështjes nga kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, ndërsa qëndrimet do të paraqiten nga prokurori Arqile Koça dhe avokati Luan Hasnëziri, lidhur me rastin konkret të të dyshuarit Bektash Zeneli, i arrestuar në flagrancë me 7.5 kilogramë kanabis.

Diskutime brenda sallës:

Prokurori Arqile Koça: Çështja e sotme mbart me vete që lidhen me dy  pikat kryesore, të pari me njësimin e praktikës dhe po ashtu edhe çështjen konkrete, ne kërkojmë që seanca të jete me dyer të mbyllura, për shkak të problematikave që ka çështja. Për sa i përket njësimit të praktikës të jetë e hapur aq sa mund te lejohet, por për çështjen të mos jene të pranishëm mediat.

Avokati Luan Hasneziri: Jam dakord me prokurorin, që për çështjen konkrete të zhvillohet diskutimi me dyer të mbyllura.

I pandehuri është Bektash Zeneli i arrestuar në flagrancë me 7.5 kilogramë kanabis.

GEAM Sh.p.k