Nga : Evald Serreqi

Kuvendi i djeshëm i mbajtur në pallatin e Kongreseve përfundimisht kaloi nga Rithemelimi në Riciklimin e disa figurave të PD-së. E pata të pamundur të shikoja një sjellje të re nga të gjithë të pranishmit. E njëjta sallë. Pak a shumë të njëjtët persona që mbushin ulëset. Shumica prej tyre (zakonisht ato të rreshtave të fundit) demokratë të keqpërdorur ndër vite që presin ndryshim. Nga kush? Nga po të njëjtët njerëz që me papërgjeshmërinë më të madhe nuk ndalen së zëni kohën e mikrofonin.

Duke e konsideruar veten pjesë të opozitës në Shqipëri, por njëkohësisht të ndryshëm nga protagonistët e kuvendit të djeshëm, më duhet të theksoj se Shqipëria ka nevojë për një opozitë reale e cila është në gjëndje të ofrojë një alternativë qeverisëse në shërbim të qytetarëve. Ajo duhet të jetë plotësisht e ndryshme nga qeverisja e nuk duhet t’i japë asaj luksin të krahasohet me të. Opozita reale duhet të jetë e re në ide, sa më e larmishme në zëra e plotësisht e pakorruptuar.

Në atë sallë dje, shumica e atyre që morën fjalën e kanë pasur kohën e mjaftueshme të mirëqeverisin e të tregojnë vetveten. Gjatë kohës që qeverisnin kanë pas për detyrë të ruajnë edhe dinjitetin. Nëse do ta bënin një gjë të tillë, mbase z. Rama e PS nuk do arrinte të fitonte në 2013 e ato demokratët e thjeshtë të keqpërdorur vazhdimisht nuk do ishin përballur me vështirësitë e pas 2013. Protagonizmi i tyre në këto momente më ngjan më shumë me një nevojë të sforcuar për riciklim. Arsyet mund të jenë të ndryshme për gjithësecilin. Dikush nuk di të bëjë asgjë në jetë përvecse të përfitojë nga politika. Dikush mund të ketë nevojën e një mburoje politike në rast se drejtësia në këtë vend nis punon vërtetë. Po cilado qoftë arsyeja, i sigurt jam se ajo ska lidhje fare me nevojën reale të gjithë popullit shqiptar, e sidomos atij opozitar. Ne kemi nevojë për një ndryshim drastik të mënyrës se si bëhet politikë në këtë vend.

E ndërkohë që grupet në PD të arrijnë një qartësim të pozicionit të tyre, Opozita e cila prej kohësh është shumicë në këtë vend duhet të rrisë presionin e gjetjes së një formule përbashkuese, e cila garanton demokracinë e Opozitës meqë partitë për fat të keq me këto protagonistë e kanë të pamundur të sigurojnë minimumin e demokracisë së brëndshme të tyre.