Para se pandemia të fillonte, në treg po qarkullonte një panik i madh rreth automatizimit dhe zëvëndësimit të punonjësve nga robotët në fusha të ndryshme. Dhe pas dy vitesh paniku është i njejtë, mirëpo kompanitë po detyrohen të punësojnë robotë për shkak të mungesës së stafit në fusha të ndryshme të industrisë. Një nga industritë që po vuan më tepër janë restorantet.
Për zgjidhjen e këtij problemi, u krijua roboti Flippy. Ky robot u prezantua në vitin 2017 me funksionin kryesor atë të rrotullimit të hamburgerave në një zinxhir dyqanesh fast food-i. Që nga ajo kohë prodhuesi i Flippy, Miso Robotics, ka shtuar aftësitë e robotit duke e bërë atë që të gatuajë krahë pule, patate dhe ushqime të tjera plot yndyrë.
Mirëpo kompania sapo ka arritur një marrëveshje të rëndësishme me kompaninë White Castle, e cila do të punësojë mbi 100 robotë të tillë gjatë këtij viti në restorantet e saja. Kjo do të jetë kompania e parë që investon në zëvëndësimin e stafit me robotë.
Këto robotë do të kenë aftësi të kërkuara nga White Castle si përshembull njohja e ushqimit përmes vizionit AI, ngritja e tyre dhe vendosja në seksionin e duhur të tyre për gatim. Më pas roboti lëviz ushqimet e gatuara në një zonë që mban ushqimet të ngrohta.
“Flippy 2 ka më tepër se 120 konfigurime dhe është roboti i parë që po prodhohet në masë.” Çmimi zyrtar i këtyre robotëve ishte $30,000, por Miso kërkon ta ulë këtë çmim deri në $20,000.