Feyenoord ka arritur të triumfojë në “aktin e parë” të çerek-finaleve të UEFA Europa League, me hollandezët që arritën të fitonin përballë rivalëve italianë të Romës, me rezultatin minimal 1 me 0, në arenën “De Kuip” të Rotterdam.

Megjithëse hollandezët gjetën fitoren, djemtë e Jose Mourinhos patën të parët shansin për të kaluar në avantazh, mirëpo nga pika e bardhë e 11-metërshit, kapiteni Lorenzo Pellegrini u tregua i pasaktë duke mos mundur dot ta konvertojë penalltinë në gol, duke e mbyllur pjesën e parë me rezultatin e bardhë 0 me 0.

Me fillimin e fraksionit të dytë të lojës, hollandezët u hodhën menjëherë në sulm dhe vetëm 9 minuta pas fillimit, më saktësisht në të 54’-rtën, “fantazisti” i “tulipanëve”, Mats Wieffer çon topin në rrjetën e portugezit Rui Patricio, pas një kombinimi fantastik me anësorin Oussama Idrissi.Me këtë rezultat hollandezët shkojnë disi komod në ndeshjen e kthimit në “Stadio Olimpico”, aty ku vendasit “verdhekuq” nuk premtojnë asgjë më pak se “ferri” i vërtetë për hollandezët. /i.m /abcnews.al