Rreth 80% e familjeve rome në Shqipëri flasin gjuhën e tyre me njëri-tjetrin dhe 20% e tyre komunikojnë në shqip. Por shqetësimi kryesor i komunitetit rom mbetet se romishtja po harrohet, për shkak se shumica e tyre dinë vetëm ta flasin dhe jo ta shkruajnë, ndërsa të rinjtë hezitojnë edhe ta flasin. UNESCO e ka renditur gjuhën rome në mesin e gjuhëve që rrezikojnë të zhduken, për këtë arsye 5 nëntori që prej vitit 2009 shënon ditën botërore të romishtes, me qëllim promovimin e gjuhës që flitet në rreth 50 vende të botës

Fatime Rustemi, thote se në shtëpi flasin romisht, gjuhë që e ka mësuar përpara shqipes. Por gjuhën e saj, as ajo dhe as fëmijët nuk dinë ta shkruajnë.

“Gjuhë rome, flasim, gjuhën rome nuk e shkruajmë, shqip po. Po fëmijët kanë mësuar ta shkruajnë? Jo, nuk dinë, shqip mësojnë, shkojnë në shkollë.  Edhe shqip na pëlqen shumë të flasim, jemi shqiptarë. Romët kanë ardhur në Shqipëri. Të dy gjuhët, na mësonin prindërit. Kishim rëndësi të mësonim më shumë shqip, se gjuhën tonë e mësonim. Unë kam kalajmat flasin më shumë shqip, e mësojnë në shkollë”. 

Edhe Fatmir Xhambazi nuk ka mësuar ta shkruajë gjuhën rome, ndonëse romisht flet në pjesën më të madhe të kohës në familjen e tij. Ai thotë se shumë fjalë i kanë harruar.

“Ne shqiptarë jemi po flasim edhe shqip edhe romisht. E kemi prejardhjen nga India. Edhe se kemi tamam, disa fjalë i ngatërrojmë me shqip. E keni harruar? Jo, por duhet me abetare. Psh, kanalit i themi gurrna. Të vjetrit e dinë më mirë”.

Olsi Sherifi, një i ri i komunitetit rom, i ka tejkaluar disa sfida. Ai është shkolluar dhe ka mësuar gjithashtu ta shkruajë gjuhën e tij romisht.

“Falë kurseve private, në vitin 1991 është botuar abetarja e gjuhës rome. Uroj që romët ta ruajnë traditën e tyre, për të ruajtur këtë gjuhë që e kemi sjellë gojarisht nga India më shumë se 1 mijë vjetë më parë”.

Në ditën botërore të gjuhës rome, Olsi ngre shqetësimin se gjuha e komunitetit të tij është e rrezikuar dhe të rinjtë nuk po e trashëgojnë si të parët.

“Të rinjtë dhe fëmijët nuk është se flasin gjuhën rome, për shkak se kjo gjuhë është drejt humbjes sepse se në shkolla nuk ka pasur një kurrikulë”.

Gjuha rome ka alfabete të ndryshme, ndërsa në Shqipëri fliten 4 dialekte të saj.

Në vitin 2015 në universitetin “Aleksandër Xhuvani”, në Elbasan u hap katedra e gjuhës rome, por për shkak të mungesës së studentëve më pas u mbyll. Në Elbasan gjithashtu për herë të parë në dy shkolla është futur këtë vit gjuha rome, si lëndë mësimi për fëmijët e këtij komuniteti./Abc News