Klikimet kthehen në shqetësim. Kjo ndodh sepse klikimet përkthehen në para. Por, një lajm i klikueshëm jo domosdoshmërisht plotëson cilësitë apo kriteret për të qenë i besueshëm, i paanshëm dhe korrekt. Ky fenomen, cenon drejtpërdrejt gazetarin profesionist, hulumtues, investigativ.

Atë që gazetarinë e ka mision. Sakrifikon për informacionet, por shikon se puna e tij zhvlerësohet nga ata që publikojnë lajme të paverifikuara. Mjafton të jenë tërheqës.

‘A ndihem unë keq kur kuptoj që një temë ka marrë 1 mln klikime dhe kolegu im s’ka bërë asgjë, jo nuk ndihem keq, unë mendoj se në këtë botë në të gjitha fushat ka gjëra të padrejta. A duhet të klikohet ajo gjë, po masa ndoshta do atë gjë po kjo nuk do të thotë se unë do ta ushqej masën unë nuk jam aty për ta bërë këtë gjë unë nuk jam aty për të bërë show, kështu që secili prej nesh duhet të mos bie pre’ u shpreh Antela Lika, gazetare.

Gazetaria investigative mbetet gazetaria më e rrezikshme e cila përballet me kërcënime dhe intimidime të shumta që vijnë nga të gjitha drejtimet. Duke qenë e kushtueshme dhe duke kërkuar kohë për të hulumtuar është sektori më i rrezikuar, më i vështiri për t’i mbijetuar kohës. Konkurohet padrejtësisht, artificialisht, nga copëza lajmesh të shkëputura prej trupit të lajmit të saj dhe i serviret publikut e ambalazhuar me një titull bombastik.

Një mashtrim që lexohet e klikohet më shumë se sa lajmi për të cilin është punuar shumë dhe është trokitur në shumë dyer për të pasur informacion shterues, për ta zbardhur tërësisht të vërtetën para publikut.

‘Gazetari investigativ është më i rrezikuari për shkak të kalibrit të punës që bën, sepse bën një hetim gazetaresk gati gati me të që bën një hetues kur kërkon për të zbardhur një ngjarje apo për të ngritur një çështje penale’ u shpreh Anila Hoxha, gazetare.

‘Unë mendoj se çdo temë e mirë çdo investigim i mirë shkon aty ku dhemb nëse nuk ka shkuar aty ku dhemb ne kemi çeduar diku’ u shpreh Antela Lika, gazetare.

‘Kanë qenë raste që në jemi kërcënuar jemi dhunuar na janë thyer mjetet, sigurisht kam punuar edhe me njerëz profesionist të cilët edhe pse iu është thyer kamera kanë gjetur mundësinë të xhirojnë me telefon’ u shpreh Antela Lika, gazetare.

‘Nga gazetarët investigativ ne marrim informacion që në momentin që ata çojnë një kërkesë për informacion në një ministri apo në një institucion të caktuar menjëherë një apo dy ditë më vonë marrin telefonata intimiduese dhe kërcënuese nga persona të lidhur më çështjen që ata janë duke trajtuar’ u shpreh Blerjana Bino, Drejtuese e Qendrës për Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim, SciDev./tch