Ish-sulmuesi i Napolit, dy herë kampion i Italisë me Maradonën, Andrea Carnevale, që prej vitesh është skaut talentësh për Udinesen, zgjedh Corriere della Sera dhe librin “Destino di un bomber”, shkruar me Giuseppe Sansonna për të treguar tragjedinë familjare ku ishte protagonist kur ishte adoleshent.
“Babai ishte shumë xheloz, në shtëpi mbretëronte një atmosferë terrori, unë isha aty kur nëna ime merrte shuplaka, rrahje. Fyerje. Deri atë mëngjesin e 25 shtatorit 1975 “, thotë për Corriere della Sera.
Ai u zgjua, mori sëpatën. Shkoi tek nëna që po lante rrobat në lumë afër shtëpisë. Shkoi për ta vrarë. Vrapova atje, mblodha gjakun e nënës sime dhe shkova tek karabinierët: “E shihni tani gjakun?””.
Rrëfimi i Andrea Carnevales vazhdon: “Nëna ime nuk e denoncoi kurrë sepse kishte frikë se mos i bënin diçka fëmijëve të saj – tregon me keqardhje ish-sulmuesi –. Dy vjet pas vrasjes, kur isha 16 vjeç, shkova ta takoja babain në burg. Doja ta shihja në sy, më kishte marrë gjithçka. Dhe ja, e pashë dhe e përqafova. Fort. Në një farë mënyre e falja, me vetëdijen se kisha përballë një njeri shumë të sëmurë. Ishte skizofren. Nuk u trajtua kurrë, disa vite më vonë bëri vetëvrasje duke u hedhur nga një dritare para syve të mi. Për shumë vite kam jetuar me dhimbjen, por edhe me frikën se mos isha si ai. Jo, nuk jam si ai. Këtë e kuptova kur e pashë. Dhe ishte hapi i parë drejt çlirimit”.
Pavarësisht sukseseve sportive, jeta e Andrea Carnevales nuk ka qenë e lehtë as si i rritur. Fundi i martesës me Paola Peregon nuk kaloi pa pasoja.
“A e dini që ishte Maradona ai që ma prezantoi? I pëlqente dhe kërkoi numrin e saj të telefonit, e shkroi në një copë letër. Unë ia vodha atë letër nga xhepat e pantallonave – tregon ai sërish për Corriere della Sera –. Pastaj dashuria përfundoi, kishte një tjetër person, por unë këmbëngula të vazhdoja për hir të fëmijëve. Nuk doja të rriteshin si jetimë. Dhe megjithatë ata menduan se ika nga shtëpia, se i braktisa. Unë, një jetim, që bëja fëmijët e mi jetimë. E kuptoni? E tmerrshme, sikur ta jetoja dramën time përsëri. E kam respektuar Paolën, por vetë jam ndjerë i parespektuar, shumë gënjeshtra”.