Liri Berisha e ftuara e mbrëmjes në emisionin “Opinion”, ka bërë një rrëfim të rrallë mbi kujtimet e saj me shenjtoren Nënë Tereza, teksa ka ndarë me publikun të dhëna mbi jetën e saj të fundit, të pathëna më parë.

Ish-Zonja e Parë ka treguar se Nënë Tereza gjithmonë ka udhëtuar jashtë kufinjve duke përdorur pasaportë shqiptare, pavarësisht se ishte e pajisur me pasaportë indiane.

“Ajo kudo që udhëtonte, udhëtonte me pasaportë shqiptare. Nuk e di të them se ku e gjeti dhe si e gjeti. Udhëtonte me pasaportë shqiptare”, tha ajo.

Ndër të tjera ajo tregon se dashurinë për gjuhën shqipe dhe për atdheun, Nënë Tereza e ka treguar në çdo cep të botës si tradia të ruajtura me fanatizëm në zemrën dhe mendjen e saj. Një përshtypje e madhe për motrat e tjera që kalonin ditët me të, ishte pjesa kur shenjtorja lutej në gjuhën shqiptare, fjalë të cilat ata nuk i kuptonin.

“Më ka bërë shumë përshtypje një vizitë në Budapest. Isha e ftuar nga zonja e parë hungareze, për të inauguruar një bust të Nënë Terezës edhe një rrugë të Nënë Terezës dhe kur shkoj aty takoj e motrat e Nënë Terezës. Ato më ftuan qe t’i vizitoj shtëpinë e tyre. Kur shkoj të vizitoj shtëpinë, një prej motrave më thotë: Nënë Tereza lutej e falej në këtë cep të dhomës.

Ne kemi ruajtur disa gjëra të saj, stilolapsa, gjëra të vogla, kryqe. Kur ajo lutej e falej, në një gjuhë që ne nuk e kuptonim. Kemi pyetur motër Nirvanën, e cila ishte motra që e shoqëronte, që ne nuk e kuptojmë Nënë Terezën çfarë flet kur falet. Nuk e kuptoni se ajo falet dhe flet në gjuhën e saj. Kjo më bëri shumë përshtypje”, tha Berisha.