
Prokuroria ka dorëzuar prova të reja, mes të cilave komunikimet në aplikacionin SKY ECC, mes të pandehurve kryesorë të akuzuar për përfshirje në rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës.
Në Apelin e GJKKO është mbajtur seanca ndaj kopshtarit të kompleksit “Golden”, Festim Bexhdillit, i cili po ashtu është i akuzuar lidhur me ngjarjen. Ai punonte kopshtar në resortin ku u fsheh trupi i Jan Prengës. Ndërkohë, gjykata ka shtyrë seancën për në datë 13 maj duke i lënë kohë avokatëve të njihen me provat.
Porkuroria bën me dije se janë zbuluar biseda mes Dritan Rexhepit, Altin Hajrit dhe Gentian Funiqit ku flitet për mënyrën e organizimit dhe më pas zhdukjen e trupit të Prengës. Në këto komunikime rezulton i përshirë edhe Festim Bexhdilli.
Kujtojmë se lidhur me ngjarjen, të pandehurit janë: Dritan Rexhepi, Aldo Majnishta, Gentian Funiqi, Korado Gështenja, Martin Bleta, Artan Doçaj, Geraldo Martini.
Në masa të jashtëzakonshme sigurie, Rexhepi u ekstradua nga Turqia më 8 janar 2025 në vendin tonë për t’u përballur me akuzat për një prej ngjarjeve më të mistershme të viteve të fundit, urdhrin për rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës më 17 janar 2020 në Kamzë, pasi dyshonte se në vitin 2019, vëllai i Jan Prengës, Astrit Prenga, kishte vjedhur në Angli, një kontenier me kokainë në pronësi të tij dhe bashkëpunëtorëve.
