Bledar Muça, një prej emrave shumë të përfolur në botën e krimit në Elbasan, është vrarë me një plumb të vetëm në Antwerp të Belgjikës.
Muça njihet si pjesë e grupit të Çapjave në Elbasan dhe konsiderohet si mik i ngushtë i Ardjan dhe Florenc Çapja, të dy këta persona të proceduar penal nga SPAK për vrasjen e babë e bir, Nezir dhe Gentjan Beqirit.
Muça u gjend i pajetë në një lagje të Antwerpit, ku policia lokale fillimisht mendoi se kishin të bënin me një shtetas Anglez për shkak të pasaportës angleze që Muça dispononte. Por më pas nga hetimet u mësua se origjina e viktimës ishte pikërisht Elbasani.
Prej muajit Maj të 2021, periudhë kur në Elbasan u arrestua Ardjan Çapja dhe u shpall në kërkim Florenc Çapja, i cili mundi të largohet në Dubai, Muça braktisi Elbasanin, duke bërë një jetë mes Anglisë, Hollandës dhe Belgjikës.
Pikërisht në këto shtete, Muça dyshohet se kryente trafikimin dhe tregtinë e kokainës. Ndërsa për të jetëzuar dhe zgjeruar këtë biznes, besohet se kishte lidhur aleancë me një grup kriminal nga Tirana, ku kreu i këtij grupi aktualisht ndodhet në burg.
Muça ishte proceduar disa herë nga policia dhe prokuroria e Elbasanit, ndërsa prej muajit Maj të vitit të kaluar ai ishte larguar nga qyteti, duke qëndruar vetëm jashtë.
Muça, posedonte një pasaportë angleze dhe kjo nuk e pengonte atë të lëvizte në disa shtete të Evropës.
Aktiviteti i tij në Belgjikë, Hollandë dhe Angli, ishte mjaft i dyshimtë për shkak implikimin në trafikun dhe tregtinë e kokainës.
Bledar Muça, është njeriu që u përplas së bashku me Çapjat në vitin 2016 me agjentët e policisë së Tiranës, të cilët fatmirësisht shpëtuan më së miri në këtë përplasje.
Për këtë ngjarje të rëndë Muça u dënua vetëm me dy vite burgim, dënim të cilin e vuajti në shërbim prove.
Bledar Muça, rezulton me precedentë penalë pasi në 2011 është shpallur në kërkim për vrasjen e Elir Rexhepit në Elbasan.
Muça mundi të largohet nga pika kufitare e Kapshticës, duke hyrë në Greqi dhe mandej përfundoi në Angli.
Ndërsa dy vite më parë në 2020, Muça në muajin Maj goditi me makinën e tij efektivin e policisë së Burgjeve, Hekuran Pisha, duke e rrëzuar nga motori dhe thyer njërin krah.
Hekuran Pisha, u dënua për Drejtim mjeti pa patentë, ndërsa çështja për Bledar Muçën u pushua nga prokuroria e Elbasanit.
Ora News