Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev ka akuzuar Rusinë për rrëzimin e aeroplanit në ditën e Krishtlindjeve dhe se ka fshehur shkakun.
Aeroplani i Azerbajxhanit po udhëtonte për në Grozny në Çeçeni përpara se të bënte një ulje emergjente pranë Aktaut, tha linja ajrore të mërkurën.
Agjencia Federale e Transportit Ajror të Rusisë tha fillimisht se avioni u rrëzua pasi u përplas me zogj , megjithëse më vonë tha se dronët luftarakë ukrainas dhe mjegulla e dendur e detyruan avionin të largohej nga hapësira ajrore ruse.
Shpimet në trupin e avionit që duken të ngjashme me dëmtimet nga copëzat ose mbeturinat, bënë që shumë njerëz të besonin se avioni ishte rrëzuar nga njësitë ruse të mbrojtjes ajrore, duke përfshirë një zyrtar amerikan i cili i tha CNN se shenjat tregonin një sistem rus që godiste aeroplanin.
“Fakti që trupi i avionit është i mbushur me vrima tregon se teoria e aeroplanit që godet një tufë zogjsh… është hequr plotësisht”, tha Aliyev të dielën, sipas medias shtetërore të Azerbajxhanit AZERTAC.
Presidenti i Azerbajxhanit tha se avioni u dëmtua mbi territorin rus, duke shtuar se “sistemet e luftës elektronike e nxorën avionin tonë jashtë kontrollit”.
“Në të njëjtën kohë, si pasojë e zjarrit nga toka, edhe bishti i avionit u dëmtua rëndë”.
Një dispeçer rus tha pak para rrëzimit se një rezervuar oksigjeni shpërtheu në kabinën e avionit, u shpreh të enjten ministri i Transportit i Kazakistanit Marat Karabayev.
Aliyev tha se ky ishte “një moment tjetër për të ardhur keq dhe befasues” që “tregoi qartë se pala ruse donte të mbulonte çështjen, e cila, natyrisht, nuk i përshtatet askujt”, raportoi AZERTAC.
Të shtunën, presidenti rus Vladimir Putin “kërkoi falje për faktin se incidenti tragjik ndodhi në hapësirën ajrore ruse” në një telefonatë me Aliyev, duke shtuar se mbrojtja ajrore ruse ishte aktive në atë kohë, por nuk pranoi fajin.
Media shtetërore ruse TASS raportoi se Putin dhe Aliyev patën një tjetër telefonatë të dielën, por nuk ofruan më shumë informacion mbi bisedën.
Aliyev tha të dielën se në vend që të krijojë teori për arsyen e rrëzimit, Rusia duhet të marrë fajin dhe të kërkojë falje të plotë.
“Sigurisht, avioni ynë u godit rastësisht… këtu nuk mund të flitet për një akt të qëllimshëm terrori,” tha ai, sipas AZERTAC.
“Prandaj, pranimi i fajit, kërkimi i faljes në kohën e duhur ndaj Azerbajxhanit, i cili konsiderohet vend mik, dhe informimi i publikut për këtë – të gjitha këto ishin masa dhe hapa që duhej të ishin ndërmarrë”, vazhdoi ai.
“Për fat të keq, për tre ditët e para, nuk dëgjuam asgjë nga Rusia, përveç disa teorive absurde”, tha Aliyev.
Top Channel