Punonjësit e sektorit publik përftojnë një tjetër rritje page. Vendimi u miratua sot në mbledhjen e Këshillit të Ministrave.
Rritja e pagës, që hyn në fuqi nga 1 korriku, do të jetë për 135 mijë punonjës të administratës shtetërore, konkretisht punonjësit e sistemit arsimor parauniversitar, punonjësit e sistemit shëndetësor, punonjësit e sistemit të sigurisë së vendit (Policia e Shtetit, Policia e Burgjeve, Garda e Republikës, Forcat e Armatosura, Mbrojtja nga zjarri dhe shpëtimi) si edhe punonjësit e nivelit zbatues dhe mbështetës të administratës shtetërore.
Ministri i Financave, Ervin Mete, në komunikimin me mediat pas mbledhjes së Këshillit të Ministrave tha se me zbatimin e kësaj politike paga mesatare në sektorin publik synohet të arrijë në 105 mijë Lekë.
“Pagat e rritura fillojnë të aplikohen në 6 mujorin e dytë të vitit, pra duke filluar nga 1 korriku, me një kosto të përllogaritur prej afro 11 miliardë lekësh për këtë 6 mujor të dytë të vitit dhe me një kosto totale buxhetore prej afro 40 miliardë lekësh”, tha Mete.
Mete informoi se, me ndryshimet ligjore të miratuara, parashikohet të realizohet indeksimi i të gjitha pagave në administratën publike me normën e inflacionit në fuqi, indeksim që do të realizohet në vazhdimësi çdo dy vjet, duke filluar nga viti 2026.
Top Channel