Treguesit e punësimit u përmirësuan në tremujorin e fundit të vitit 2021, në krahasim me vitin 2020, por ende nuk po arrihen nivelet e para pandemisë.
Sipas të dhënave zyrtare të INSTAT, në tremujorin e katërt 2021, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 2,1%, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2020, dhe me 0,1%, krahasuar me tremujorin e tretë 2021.
Të dhënat tregojnë se në tremujorin e katërt të vitit 2021 kishte rreth 33 mijë të punësuar më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2020, por ende numërohen 10 mijë më pak të punësuar se në të njëjtën periudhë e vitit 2019. Shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 11,4%. Niveli i papunësisë u ul me 1,9%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2020, ndërsa është rritur me 1,0%, krahasuar me tremujorin e mëparshëm, si rrjedhojë e përfundimit të sezonit turistik.
Rritet pjesëmarrja në tregun e punës
Në tremujorin e katërt 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, ishte 70,4%. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2020, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 1,7 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë që krahasuar me tremujorin e mëparshëm është rritur me 0,3 pikë përqindje.
Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 63,2%, ndërsa për burrat ky tregues është 77,7%. Për burrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 14,5 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2020, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është rritur me 2,7 pikë përqindje, ndërsa për burrat është rritur me 0,5 pikë përqindje.
Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 53,9%. Ky tregues është rritur me 2,9 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2020, dhe me 0,4 pikë përqindje, në krahasim me tremujorin e tretë 2021.
Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e katërt 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 78,6%.
Punësimi u rritet në sektorët e industrisë dhe shërbimeve, por bie për bujqësinë
Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2021, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 62,1%. Ritmi vjetor i ndryshimit të punësimit për popullsinë 15 vjeç e lart, nga tremujori i katërt i vitit 2020 në tremujorin e katërt 2021, është +2,7%. Në terma vjetorë, punësimi rritet me 7,5% në sektorin e industrisë, me 7,2% në sektorin e shërbimeve, ndërsa ulet me 5,3% në sektorin e bujqësisë. Krahasuar me tremujorin e mëparshëm, në tremujorin e katërt 2021, punësimi për popullsinë 15 vjeç e lart u ul me 0,3%. Punësimi u ul me 1,0% në sektorin e industrisë, me 0,2% në sektorin e shërbimeve, dhe u rrit me 0,2% në sektorin e bujqësisë.
Shkalla e punësimit për burrat e grupmoshës 15-64 vjeç është 68,8%, ndërsa për gratë është 55,4%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2020, shkalla e punësimit është rritur për burrat me 1,0 pikë përqindje, ndërsa për gratë është rritur me 2,5 pikë përqindje. Shkalla e punësimit të të rinjve është 42,8%. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e katërt 2021, shkalla e punësimit është 71,7%.
Papunësia tipar i të rinjve, në moshën 30-64 vjeç treguesi është 8.9%
Në tremujorin e katërt 2021, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri është 11,4%. Shkalla zyrtare e papunësisë u ul me 0,4 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2020, ndërsa u rrit me 0,1 pikë përqindje krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2021. Shkalla zyrtare e papunësisë për burrat është 11,0% dhe për gratë 11,8%. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2020, shkalla e papunësisë është ulur me 0,7 pikë përqindje për burrat, dhe është ulur me 0,3 pikë përqindje për gratë.
Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2020, shkalla e papunësisë për të rinjtë, në tremujorin e katërt 2021, është ulur me 1,1 pikë përqindje. Krahasuar me tremujorin e tretë 2021, ky tregues është rritur me 0,7 pikë përqindje.
Shkalla e papunësisë për grup-moshën 30-64 vjeç është 8,9%. Në terma vjetorë ky tregues është ulur me 0,3 pikë përqindje, ndërsa krahasuar me tremujorin e mëparshëm është rritur me 0,2 pikë përqindje. Popullsia ekonomikisht jo-aktive Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2021, 17,7% e popullsisë ekonomikisht jo-aktive dhe në moshë pune (15- 64 vjeç) ishin duke përmbushur detyrat shtëpiake, 10,1% e saj ishte në pension ose pension të parakohshëm, ndërsa 11,2% në paaftësi të përhershme.
Gjatë tremujorit të katërt 2021, 11,7% e popullsisë ekonomikisht jo-aktive (në grup-moshën 15-64 vjeç) deklaruan se nuk po kërkonin punë pasi besonin se nuk ka punë të disponueshme, pra klasifikohen si të papunë të dekurajuar
Të rinjtë e moshës 15-29 vjeç që deklaruan se janë nxënës/studentë ose në trajnim përbëjnë 72,1% të të rinjve ekonomikisht jo-aktivë. Ndër të rinjtë e moshës 15-29 vjeç ekonomikisht jo-aktivë, 9,0% klasifikohen si të papunë të dekurajuar. Në popullsinë e moshës 30-64 vjeç, ky grup përbën 14,7% të popullsisë ekonomikisht jo-aktive të kësaj grup-moshe.