Ndryshimet në Policinë e Shtetit me firmë të drejtorit të ri Gledis Nano, kanë ngritur pikëpyetje në aspektin e vlerësimit të figurave me kontribute dhe performancë. Ultimatumi i vendosur nga kryeministri për rikthimin e rendit dhe sigurisë brenda 100 ditëve, evidentoi punën e disa drejtorëve në Drejtoritë e Qarqeve.
Referuar këtyre rezultateve, drejtues si Skënder Hitaj që ishte në krye të Policisë së Shkodrës dhe prej pak ditësh drejton Policinë e Dibrës, është një rast i tillë. Kryeqendra e veriut ndonëse njihet për kriminalitetin e lartë, rezultatet e arritura nga ky drejtues, duket se nuk u morën parasysh.
E njëjta situatë ka ndodhur edhe me kryekomisar Oltion Bistri, i cili në tre muaj u rëndit i pari sa i takon rezultateve, ndonëse drejtonte edhe ky një qark me kriminalitet të lartë. Por edhe puna e këtij të fundit u vlerësua duke u transferuar në një qark më të vogël siç është Lezha. Vendet e këtyre drejtuesve u zunë nga figura që prej vitesh kanë mbajtur poste kyçe në Policinë e Shtetit përkatësisht Hamdi Fiora dhe Neritan Nallbati.
Lëvizje drejtuesish që arritën rezultate pati edhe në rang komisariatesh. Në Tiranë, aty ku është përqëndruar pothuajse gjysma e popullsisë së vendit, qartësisht edhe numri më i lartë i trupave policore, pati ndryshime në rang të shefave të Komisariateve.
Në analizën 100 ditore, komisariati Nr. 1 i drejtuar nga Oliger Torba dhe ai Nr. 6 nga Alket Shatro, qëndronin në krye të tabelës së performancës sa i përket operacioneve të finalizuara, kapjes së personave në kërkim apo sekuestrimit të armëve. Rastet në fjalë, pavarësisht performancës së përafërt nuk u trajtuan njësoj në rrokadën që ndodhi në polici.
Alket Shatro ishte i vetmi nga 6 drejtuesit e komisariateve në kryeqytet që nuk lëvizi, ndërsa Oliger Torba u trensferua në Komisariatin Nr. 5 në Kamëz. Ndonëse është ende herët për t’i analizuar këto lëvizje, nuk dihet nëse drejtuesit e rinj do t’i sjellin kupolës blu atë që kërkoi kreypolici Nano.