Banorët e Njësisë Administrative Hotolisht, në Librazhd, janë shprehur të shqetësuar për ndikimin negativ që mund të ketë zgjerimi i rrugës Elbasan-Qafë Thanë mbi jetën e komunitetit të kësaj zone dhe të fshatit tyre, ndërsa duhet të ndodhë e kundërta.
Ata janë të shqetësuar për shkatërrimin e lagjes historike dhe nga më të bukurat përgjatë luginës së Shkumbit. Ky projekt shkatërron dhjetëra vila dhe shtëpi dhe ndikon negativisht në ekonomi dhe jetesën e tyre.
Kundërshtimi i këtij projekti ka sjellë firmosjen e një peticioni nga 511 banorë, të cilët kërkojnë që ky projekt të rishikohet menjëherë dhe rruga sipas tyre të kalojë përmes një tuneli ose të devijohet nga ana e lumit Shkumbin.

Ata theksojnë se nuk janë kundër zgjerimit të rrugës, por janë të shqetësuar për mënyrën se si është parashikuar kalimi i saj mes për mes fshatit, gjë që mund të çojë në shkatërrimin e shtëpive të tyre dhe të krijojë pasoja të tjera të padëshiruara për jetën e përditshme të komunitetit.

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka deklaruar se është duke rishqyrtuar projektin për të minimizuar ndikimin në komunitet, duke përfshirë mundësinë e kalimit të rrugës përmes një tuneli. Megjithatë, banorët shprehen të pakënaqur nga mungesa e informacionit dhe transparencës deri tani dhe kërkojnë një përgjigje të qartë dhe një zgjidhje që do të mbrojë fshatin dhe jetesën e tyre.
Nëse nuk merren masa për të adresuar shqetësimet e tyre, banorët kërcënojnë se do të organizojnë protesta për të kërkuar që zgjidhja të jetë e pranueshme dhe për të mbrojtur të drejtat e tyre dhe të ardhmen e fshatit.
(BalkanWeb)
