Gazetari i ekonomisë Klodian Tomorri ka publikuar 6 fakte për rrugën Kardhiq-Delvinë, duke shpjeguar si u rrit kostoja e saj me të paktën me 20 milionë euro.

Tomorri shkruan se një vepër publike e prokuruar në 7 apo 8 lote, merr shtesë kontrate në masën 20 për qind për çdo lot dhe shtesat e kontratës bëhen pa garë me negocim mes qeveritarit dhe kontraktorit privat. “Rruga Kardhiq-Delvinë në një drejtim është rast unikal në botë. Një vepër publike e prokuruar në 7 apo 8 lote, merr shtesë kontrate në masën 20 për qind për çdo lot.

Shtesat e kontratës bëhen pa garë me negocim mes qeveritarit dhe kontraktorit privat. Buxheti i jep kompanisë private 20 për qind para shtesë mbi fondin me të cilin ajo ka fituar tenderin. Kontratat më të mëdha të Kardhiq-Delvinë janë prokuruar në verën e vitit 2018. Të gjitha ato kontrata kanë marrë shtesë 20 për qind në vitin 2021. Vetëm si pasojë e shtesave të kontratave kostoja e rrugës Kardhiq-Delvinë është rritur të paktën me 20 milionë euro, pa përfshirë këtu mangësitë në projekt”, thotë Tomorri.

Sipas tij, ky është një biznes ku ndahen para mes kontraktorëve dhe qeveritarëve dhe se ryshfetet duhet të dalin nga diku, ndaj edhe kostot fryhen e fryhen. “Sali Berisha kishte një mani me kontratat publike, veçanërisht ato në rrugë. Atë të prokurimit me kosto sa më të ulët. Përjashtim bën Durrës-Kukës, që është një histori tjetër. Rruga Elbasan-Tiranë, ajo Kardhiq-Delvinë janë vetëm dy nga shembujt.

Socialistët kanë një mani tjetër me kontratat publike të rrugëve. Për çdo problem që del rrugës, propozimin për zgjidhjen ia lënë në dorë kontraktorëve privatë. Kjo është një nga arsyet kryesore se pse kostot e Kardhiq-Delvinë dhe shumë rrugëve të tjera kanë kërcyer në qiell dhe pse sot Shqipëria prokuron rrugë me kosto për kilometër disa herë më të lartë se sa në të shkuarën. Por pse nuk e duan disiplinën buxhetore ne prokurime këta? Arsyeja nuk është shumë e vështire për t’u gjetur.

Sigurisht nuk e bëjnë se janë budallenj apo leshko, që po ua hedhin kontraktorët privat. Por e bëjnë për partneritet. Ky është një biznes ku ndahen para mes kontraktorëve dhe qeveritarëve. Ryshfetet duhet të dalin nga diku. Ndaj kostot fryhen e fryhen, ndërsa qytetarët paguajnë e paguajnë pa bërë zë. Madje në fund edhe këndojnë sa bukur e hëngrën”, shkruan Tomorri. Nga investigimi i publikuar në gazetën “Panorama”, rruga Kardhiq-Delvinë kushtoi 108 milionë euro për 33 kilometër nga 50 milionë euro që ishte planifikuar në nisje të punimeve.

6 FAKTE PËR RRUGËN KARDHIQ-DELVINË

Fakt 1: Rruga Kardhiq-Delvinë në një drejtim është rast unikal në botë. Një vepër publike e prokuruar në 7 apo 8 lote, merr shtesë kontrate në masën 20 për qind për çdo lot. Shtesat e kontratës bëhen pa garë me negocim mes qeveritarit dhe kontraktorit privat. Buxheti i jep kompanisë private 20 pë rqind para shtesë mbi fondin me të cilin ajo ka fituar tenderin.

Fakt 2: Instrumenti i shtesës së kontratës është parashikuar në ligj për raste të veçanta, kur në realizimin e një kontrate prokurimi dalin të papritura. Sa është probabiliteti që në një vepër me 7 tenderë, në të 7-të tenderët të dalin të papritura gjatë realizimit të punimeve? Statistika është shkencë e pamëshirshme.

Fakt 3: Kontratat më të mëdha të Kardhiq-Delvinë janë prokuruar në verën e vitit 2018. Të gjitha ato kontrata kanë marrë shtesë 20 për qind në vitin 2021. Ku hyn opozita dhe Saliu në këtë histori?

Fakt 4: Vetëm si pasojë e shtesave të kontratave kostoja e rrugës Kardhiq-Delvinë është rritur të paktën me 20 milionë euro, pa përfshirë këtu mangësitë në projekt që mund të kishte lënë qeveria paraardhëse.

Fakt 5: Në vrojtimin global të sipërmarrjeve që u zhvillua në vitin 2019, Banka Botërore dhe Berzh e renditën Shqipërinë si vendin e dytë në botë me nivelin me të lartë të ryshfetit. E para ishte Zambia. Sipas raportit bizneset shqiptare janë mesatarisht 3.07 për qind të xhiros për ryshfet. Në vitin 2019 xhiro totale e bizneseve në Shqipëri ishte 18 miliardë euro. Mbi 550 milionë euro u dhanë si ryshfet.

Fakt 6: Sipas vrojtimit, pjesa më e madhe e këtyre 550 milionë eurove që jepen ryshfet është përqendruar në dy drejtime; tenderët publike dhe lejet e ndërtimit. Sa është probabiliteti që KardhiqDelvinën të mos e këtë zënë Covid-19? Statistika është shkencë e pamëshirshme.