Qarkullimi i automjeteve në aksin nacional Librazhd- Qaf Thanë këtë të hënë te kthesat e Dragostunjës kryhet me vështirësi, ndërsa vetëm një korsi e gjysmë e rrugës është e hapur pasi një gur i përmasave të mëdha gjendet mbi asfalt.
Ajo që bie në sy, një ditë më pas është mungesa e autoriteteve në vendngjarje për të këshilluar drejtuesit e mjeteve të ulin shpejtësinë.
Ndonëse për më shumë se 10 orë disa mjete të rënda një ditë më parë punuan njëherësh për të shembur skarpatën e dëmtuar dhe për ta bërë rrugën të hapur për drejtuesit e mjeteve rreziku konstatohet edhe këtë të hënë. Në korsinë e bllokuar mjetet e tonazhit të rëndë e kanë të pamundur të shkëmbehen.
Një banor i zonës Safet Duka i cili i shpëtoi mrekullisht masivit të rënë në rrugë tregon për momentet që mund t’i kishin marrë jetën së bashku me nënën e tij.
Ai kërkon dëmshpërblim nga firma që mirëmban rrugën pasi mjeti i tij është dëmtuar nga gurët e parë që u shkëputën nga mali por edhe marrjen e masave nga autoritetet që të rikthejnë sigurinë në rrugë.
Të dielën, Kreu i Autoritetit Rrugor Ami Kozeli mohoi që shkak i shembjes së masivit të jenë bërë punimet që po kryhen për zgjerimin e koridorit të VIII, por është fakt se shumë pranë segmentit të dëmtuar shihen mjetet që po punojnë për gjurmën e re të rrugës.
Sakaq ambjentalistët po shprehin shqetësimin e tyre për mbetjet e hedhura në lumin Shkumbin.






