Sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio njoftoi se do të flasë me palën ruse lidhur me planin e armëpushimit në luftën me Ukrainën. Shefi i diplomacisë amerikane insistoi edhe një herë se e vetmja mënyrë për ta mbyllur këtë luftë është përmes negociatave, duke përcjellë kështu një mesazh të qartë edhe për veshët e Kremlinit. Por reagimet e para ruse pas ujdisë në Arabinë Saudite, duken të rezervuara. Kievi ra dakord me propozimin e Uashingtonit për armëpushim, por tani sytë janë kthyer nga Moska. “Ne mirëpresim rezultatet e bisedimeve”, tha presidentja e Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen.

Ajo e pa si një zhvillim pozitiv që administrata Trump dëshiron t’i ofrojë përsëri mbështetje ushtarake Ukrainës dhe të sigurojë informacionet e inteligjencës. Von der Leyen vlerësoi gjithashtu armëpushimin e planifikuar. Topi tani është në anën e Rusisë, sipas saj. Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock shkroi në X për një pikë kthese të mundshme. “Tani i takon Rusisë që t’i japë fund luftës së saj të agresionit“, shkroi Baerbock

Shperndaje