Rusia do të dërgojë sisteme raketore me rreze të shkurtër veprimi bërthamore në aleatin e saj, në Bjellorusi në muajt e ardhshëm, ka thënë presidenti Vladimir Putin.
Ai tha se sistemet Iskander-M “mund të lëshojnë raketa balistike, si ato konvencionale ashtu edhe ato bërthamore”. Sistemet kanë një distancë deri në 500 km, raporton BBC.
Tensionet mes Rusisë dhe Perëndimit janë përshkallëzuar, pas vendimit të Presidentit Putin për të pushtuar Ukrainën më 24 shkurt.
Putin ka bërë disa referenca për armët bërthamore që atëherë, të cilat disa i kanë interpretuar si një paralajmërim për vendet perëndimore që të mos ndërhyjnë.
Duke folur në Shën Petersburg, Putin tha gjithashtu se Rusia do të ndihmonte në modifikimin e avionëve luftarakë bjelloruse SU-25 në mënyrë që ata të mund të mbanin armë bërthamore.
Në një zhvillim të veçantë të shtunën, Ukraina tha se forcat ruse “kanë pushtuar plotësisht” qytetin kyç lindor të Severodonetsk, pas javësh luftimesh të ashpra.
Marrja e qytetit do të thotë se Rusia tani kontrollon pothuajse të gjithë rajonin e Luhanskut dhe pjesën më të madhe të Donetskut fqinj, dy rajonet që formojnë Donbasin.
Në fjalimin e tij të shtunën vonë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u zotua se ata do të rimarrin “të gjitha qytetet e pushtuara nga Rusia.
Por ai tha se lufta me Rusinë kishte hyrë në një fazë emocionalisht të vështirë dhe nuk e dinte se sa goditje dhe humbje të tjera do të kishte.
Të premten mbrëma Rusia lëshoi një breshëri raketash në objektiva në veri dhe perëndim të Ukrainës. Të paktën tre persona u vranë dhe të tjerë kanë mbetur nën rrënoja.
Disa nga raketat u hodhën nga Bjellorusia, tha Ukraina. Bjellorusia ka ofruar mbështetje logjistike për Rusinë, por ushtria e saj nuk po merr pjesë zyrtarisht në konflikt.