Diferencat në fushëbetejë, midis Rusisë dhe Ukrainës, do të ishin të dukshme, në rast të një konflikti të hapur mes tyre, në një kohë kur Putin ka urdhëruar një operacion special.

Pavarësisht se presidenti rus pretendon se kërkon shmangien e gjakderdhjes, situata në terren është e tensionuar, dhe Ukraina duket e rrethuar nga trupat ruse nga të gjitha anët.

Sa i takon Forcave të Armatosura, Moska disponon një nga arsenalet ushtarake më të mëdha dhe të fuqishme në botë, që i “dorëzohet” vetëm teknologjisë amerikane.

Por edhe forca ushtarake e Kievit nuk është për t’u nënvlerësuar. Ukraina trashëgoi një pjesë të mirë të forcës ushtarake të ish-Bashkimit Sovjetik, por për shumë vite arsenali i saj gjykohej si tejet i vjetër.

Diferencë buxhetesh

Por në dekadën e fundit, veçanërisht pas pushtimit rus në Krime dhe në pjesën lindore të vendit, ekzekutivi  i ri antirus shtoi në mënyrë domethënëse shpenzimet ushtarake, që sot arrijnë në 5.9 miliardë dollarë, rreth 8.8% të GDP-së.

Shteti që rrezikon pushtimin, disponon tashmë mjete dhe pajisje shumë më moderne, dhe së bashku me trajnues perëndimorë janë rikonceptuar tërësisht strukturat e forcave speciale.

Një betejë në fushë të hapur, do të kishte çmim kripur për Moskën, që sot ka grumbulluar rreth 130 mijë ushtarë në kufi dhe në Bjellorusinë aleate. Ushtria ukrainase disponon tashmë më shumë se 200 mijë ushtarë të gatshëm për luftë, si dhe një forcë rezervistësh, që shkon deri në 900 mijë persona, pa shtuar se një pjesë e mirë e popullsisë ka një trajnim ushtarak nga koha e Bashkimit Sovjetik.

Kievi ka “muskuj”, por krahasimi ushtarak mbetet i pabarabartë

Shifrat, gjithsesi, mbeten totalisht në favor të Moskës, në rast të shfaqjes së “muskujve” ushtarakë. Ushtria ruse është modernizuar edhe më shumë në vitet e fundit, me një buxhet 10 herë më të madh, rreth 62 miliardë dollarë, dhe me armë që arrijnë një teknologji dhe një forcë që Kievi vetëm mund të ëndërrojë.

Arsenali bërthamor

Në fund, nuk mund të lihen mënjanë resurset e fundit të fuqive botërore: arsenali bërthamor.

Kur kolapsoi Bashkimi Sovjetik, në vitin 1991, Kievi trashëgoi rreth 3 mijë armë bërthamore, duke e shndërruar Ukrainën në fuqinë e tretë bërthamore në botë. Por sipas marrëveshjeve ndërkombëtare, të gjithë armët e saj u shkatërruan nga viti 1996, pikërisht në Rusi.

Moska, nga ana e saj, edhe pse ka shkatërruar një pjesë të mirë të arsenalit sovjetik, mban ende zyrtarisht 4497 armë bërthamore, me sisteme pjesërisht të modernizuara.