Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte shprehet i bindur se mes vendeve anëtare të NATO-s do të ketë dakordësim për rritjen e kuotës së shpenzimeve për mbrojtjen në 5% të produktit bruto.

“Unë mendoj, që në Hagë do të biem dakord për kuotën e gjithsej 5%. Nuk do të them se cila është ndarja individuale, por do të jetë dukshëm mbi 3% kur bëhet fjalë për shpenzimet e vështira”, thotë Rutte.

Pavarësisht se në fillim, një nivel i tillë shpenzimesh i propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump u duk i vështirë për t`u arritur, anëtaret e aleancës duket se po binden një e nga një.

Në fillim të muajit Rutte vetë foli për 3,5% të produktit bruto për mbrojtjen dhe 1,5% për infrastrukturën. Tani pritet që në samitin e Hagës, në 24 dhe 25 qershor, të arrihet pajtimi  në samitin për objektivat e reja.

Gjermania, një ndër vendet më të kritikuara prej Trumpit për mospërmbushjen e nivelit të pretenduar të shpenzimeve të mbrojtjes, dy javë më parë u dorëzua, duke pranuar kërkesat e shefit të Shtëpisë së Bardhë. Sipas ministrit gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius, kuota e shpenzimeve për mbrojtjen në produktin bruto të Gjermanisë do të rritet brenda një periudhe pesë vjeçare me 0,2% në vit. Nga 2,1% vitin e kaluar deri më 2032 do të arrihet një kuotë prej 3,5%.

Kryeministri holandez Dick Schoof qe shprehur në fillim të këtij muaji se “Rutte u kishte dërguar një letër të gjithë anëtarëve të NATO-s për t`i treguar që në samitin e qershorit pret angazhim konkret për shtim shpenzimesh”.