Natasha Lako ishte ndoshta në moshën e poezive të para, kur në Korçë ndihej aromë teatri.
“Sa vajza u dashuruan nëpërmjet dashurisë së tij skenike”, kujton poetja, vitet kur ishte gjimnaziste dhe prania në qytet e Piro Manit, nuk ishte një ngjarje, ishte ndryshim, një frymë e re, e injektuar në qytet përmes artit.
“Ata që nuk e dinë se çfarë ndodhi në Korçë, kur u kthye Piro Mani. Korça nuk u drodh sot, që iku Pirro Mani. U trondit më shumë me mbërritjen e tij, nëpër rrugët e kalldrëmta. E ndjeu se po ndodhte diçka në trupin e saj. Në rrugë ndihej zëri i tij, gjesti i tij, premtimi i tij për të zgjuar një qytet të tërë. Dhe bashkë më të, vetë Korça të ngjitej në skenë dhe Pirro Mani të qe spektatori. Në premiera mund ta shihje duke u përkulur në shenjë nderimi karshi artit.
Ndoshta edhe njeriut, nuk e di. Po ai i mësoi njerëzit që teatri të behej pjesë e jetës së tyre. Qyteti sa një grusht u zmadhua nëpërmjet asaj skene. Sa vajza kanë rënë në dashuri, nëpërmjet dashurisë së tij skenike. Mund të kem qenë në vitin e tretë të shkollës së mesme, kur u vu në skenë ‘Nata e dymbëdhjetë’ dhe ai solli në qytetin tim të lindjes Shekspirin.
Nuk flas për dramën ‘Pamje nga ura’, por për kumbimin e emrit Artur Miller. Të kaloje pubertetin nëpërmjet dramave dhe komedive të tilla, ishte mrekullia vetë. Duhet të ktheje kokën andej nga kalonte Piro Mani. Por nuk e shihje asgjëkund.
Qytet i dashur, ti sot nuk e di se çfarë i dha ky njeri trupit tënd. Sot, kur dëgjova lajmin e ikjes së tij përfundimtare, rastësisht isha në Korçë. Dhe nuk dija nga çfarë ane ta ktheja kokën. Ngushëllime Pavlinës së dashur së parës dhe pastaj qytetit tim, ku emri shpresoj t’i shënohet nga e para”. Kështu shprehet poetja e skenaristja, duke shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta e regjisorit.