SPAK thotë se ka të dhëna që provojnë përfshirjen e Safet Bajrit, Behar Bajrit dhe mikut të tyre, Asmer Bilali në ekzekutimin e Fatbardh Licit në Shkodër. Fatbardh Lici, i vrarë në 10 gusht 2018 është vëllai i Mustafa Licit, familja e të cilëve është përfshirë në një zinxhir vrasjesh me fisin Bajri.

Saga e vrasjeve nisi mëngjesin e 13 janarit të 7 vjetëve më parë, kur nga Shkodra do të përcilleshin bëmat e një akti të mirëfilltë terrorist. Një motobombë e shpërthyer hodhi në erë njerëz e gjithçka kapi me rrezen e vet. Autoritetet arritën shpejt në konkluzionin se objektivi për t’u eliminuar ishte Lulzim Kulla, një biznesmen që rezultoi të ishte edhe dhëndër ne familjen Lici

Më 15 korrik, një çift u ekzekutua brutalisht në makinë, ndërsa elementi që tronditi edhe më rëndë ishte djali 3 vjeç, që kishte mbijetuar pa asnjë gërvishtje. Trupat e çiftit u gjetën pas rreth 5 orësh nga vrasja, ndërsa fëmija kishte ikur nga sedilja e pasme dhe ishte ulur në prehrin e nënës së vdekur. Policia identifikoi viktimat, i riu ishte Boran Bërçana, ndërsa partnerja e tij ishte Silva Ndoci.https://www.youtube.com/embed/stbYjNY-MSY?feature=oembed

Më 10 gusht te vitit 2018, një person i maskuar do të hynte në një nga kafenetë më të njohura në Shkodër dhe do të ekzekutonte Fatbardh Licin. 53-vjeçari u vra me breshëri dhe trupi i pajetë mbeti në tavolinën ku pinte kafen thuajse çdo ditë. Ekzekutimi i Fatbardh Licit, doemos do të lidhej me vrasjen e çiftit, ku vrasja e tij iu faturua grupit të Bajrajve, ndonëse jo zyrtarisht.

Vetëm 13 ditë pas vrasjes se Licit, më 23 gusht u zhduken Agron Mollaj dhe Gëzim Hysa, nip e dajë. Sërish në skenë dalin Bajrajt, por sërish veç të dyshuar. Trupat e dy burrave nuk u gjetën asnjëherë.

Më 1 shtator, do të nxirrej në pritë Arjan Ferracaku, ku u tha se bisedën e fundit në telefon e kishte kryer me Astrit Bilalin, të atin e Asmer Bilalit. Arjani u vra teksa kalëronte, ndërkohë që vetëm një muaj e gjysmë më vonë i vrane edhe kushëririn që shiste peshk në tregun e Shkodrës.

Ngjarjet duket se pushojnë deri në 30 mars të vitit 2019 kur vriten në derën e shtëpisë Astrit dhe Brahim Bilali, i ati dhe xhaxhai të Asmer Bilalit. Asokohe i dyshuar ishte Ibrahim Lici.

Kur SPAK goditi njerëzit e policisë dhe të drejtësisë ne kuadër te dosjes metamorfoza, Behar Bajri u arratis për t’u kapur dhe ekstraduar, ndërkohë që Safet Bajri jetonte i qetë në bastionin e tij në Dobraç deri më 30 tetor, kur masakra me 4 të vrarë trazoi mbarë vendin.

(BalkanWeb)