Ish-kryeministri Sali Berisha ka deklaruar në mbyllje të protestës së sotme se, më 13 shkurt, do të protestojnë përsëri, këtë herë para Parlamentit. Sot, u shpreh ai, ishte vetëm një marshim, ndërsa të hënën opozita do të bëjë revolucion.
Mirëpo, vetëm pak minuta pas këtij njoftimi, Sali Berisha foli nga selia e PD dhe bëri një sqarim tjetër. Ai tha se nëse e hëna është ditë zie kombëtare dhe nuk do ketë Parlament, atëherë dhe protesta nuk do të zhvillohet.
“Marshimi ishte thjesht një sinjal, një mesazh që e ka marrë shumë mirë. Në qoftë se nuk ka parlament unë nuk kuptoj se nuk duhet bërë parlament se ka ditë zie. Ulet flamuri dhe ndërpriten aktivitetet sportive dhe kulturore, nuk ndërpriten aktivitetet politike, por në qoftë se vendoset të mos ketë parlament ne do respektojmë ditën e zisë”, u shpreh Sali Berisha.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ka njoftuar pasditen e djeshme se e hëna e 13 shkurtit do të jetë zyrtarisht ditë zie kombëtare. Kjo, për t’u solidarizuar me Turqinë në këto ditë të vështira, edhe për ndihmën që vendi i dha Shqipërisë kur u përballë me një fatkeqësi të ngjashme.