Erion Murataj PSD

Policia e Shtetit ka njoftuar ditë më bllokimin e një sërë akseve rrugore, bulevardeve dhe shesheve, në kuadër të mbarëvajtjes së Samitit të Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor, në datën 6 dhjetor në Tiranë. Perimetri i sigurisë do të hyjë në fuqi që nga sot, pas tre orësh.

Siç njoftoi drejtori i Sigurisë Publike, Rebani Jaupi, prej datës 5 dhjetor në orën 14:00, do të nisë bllokimi i qarkullimit në zona të caktuara, ndërsa do të lejohet vetëm lëvizja në këmbë e qytetarëve që janë banorë, brenda perimetrit të sigurisë.

Për garantimin e sigurisë para, gjatë dhe pas zhvillimit të Samitit, është parashikuar ky perimetër sigurie:

  •   Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga ura e Dajtit deri te Sheshi “Nënë Tereza”;
  •   Bulevardi “Bajram Curri” nga kryqëzimi me rrugën e “Elbasanit” deri te kryqëzimi me rrugën “Ibrahim Rugova”;
  •   Rruga “Papa Gjon Pali II” nga ETC-RTSH-Stadium;
  •   Rruga “Dervish Hima”;
  •   Rruga “Asim Zeneli”;
  •   Rruga “Themistokli Gërmenji”, pranë rrugës së Elbasanit dhe te kryqëzimi afër rrugës “Papa Gjon Pali II”;
  •   Rruga “Ismail Qemali”, nga kryqëzimi i Liceut deri te rruga e “Elbasanit”.
  •   Rruga “Mustafa Matohiti”, pranë shkollës “Kosova”;
  •   Rruga “Jul Variboba”, pranë postës, në rrugën e Elbasanit dhe rrugën “Papa Gjon Pali II”;
  •   Rruga “Fatmir Haxhiu”, te ETC;
  •   Rruga “Lekë Dukagjini”, nga sheshi “Frederik Shopen”, deri te stadiumi “Air Albania” dhe përreth stadiumit;
  •   Rruga “Skerdilajd Llagami” dhe rruga “Faik Konica”.
Harta e rrugëve që do të bllokohen gjatë samitit të BE
Harta e rrugëve që do të bllokohen gjatë samitit të BE

Ndalim të qarkullimit të automjeteve do të ketë edhe në aksin rrugor;

  •  Rinas – Mbikalimi i Kasharit – Autostrada “Durrës – Tiranë” – Ish-sheshi “Shqiponja” – Unaza e Tiranës – Rrethrrotullimi i Saukut – Rrethrrotullimi pranë Akademisë së Policisë – Pallati i Brigadave – Rrethrrotullimi i qytetit “Studenti”, deri tek kryqëzimi me bulevardin “Bajram Curri”.
  • Kufizime të qarkullimit të automjeteve të tonazhit të rëndë, do të ketë në aksin rrugor “Shkodër – Lezhë – Milot – Thumanë – Fushë Krujë – Vorë”.

Gjithashtu, për të mos krijuar pengesa në mbarëvajtjen e institucioneve që janë brenda perimetrit të sigurisë të këtij Samiti, si dhe të banorëve rezidëntë në perimetrin e sigurisë, Policia sqaron se:

  • Hyrja e punonjësve të Radio Televizionit Shqiptar, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Themistokli Gërmenji”;
  • Hyrja e punonjësve të AKSHI-së, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Jul Variboba”;
  • Hyrja e punonjësve të Kryeministrisë, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Ismail Qemali” nga kahu i rrugës së “Elbasanit”;
  • Hyrja e punonjësve të Kryesisë së Kuvendit, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Ismail Qemali” nga kahu i rrugës “Ibrahim Rugova”;
  • Hyrja e studentëve, do të bëhet në këmbë, nga rruga “Ibrahim Rugova” – sheshi “Frederik Shopen” – rruga “Lek Dukagjini” – Universitet;
  • Hyrja e gazetarëve vendas dhe të huaj të ftuar në samit, do të bëhet në këmbë, në rrugën “Abdyl Frashëri”, në drejtim të pallatit të Kongreseve.

Për të garantuar rendin dhe sigurinë, në rrugëkalimet e delegacioneve dhe në vendin ku do zhvillohet Samiti, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash, duke  bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese brenda vendit, me ekspertë të sigurisë së vendeve të BE-së, si dhe me organizatat ndërkombëtare INTERPOL dhe EUROPOL, për shkëmbimin në kohë të informacioneve.

Po nesër më 6 dhjetor, do të zhvillohet dhe protesta e lajmëruar nga opozita. Policia e Shtetit ka njoftuar se nuk e ndalon atë, por garanton mbarëvajtjen e saj jashtë perimetrit të sigurisë, pasi perimetri i sigurisë së samitit është i pacënueshëm dhe i aksesueshëm vetëm nga pjesëmarrësit dhe nga gazetarët e akredituar.

“Ne kemi besim se arsyeja do të fitojë mbi emocionet e kujtdo dhe jemi të përgatitur për çdo rast kur do të ndodhë e kundërta”, u shpreh drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.