Pas një viti të vështirë nga pandemia, spitali Covid 2 i rikthehet normalitetit për pacientët me sëmundje të mushkërive dhe probleme të tjera. Me hapjen e Sanatoriumit ka nisur dhe funksionimi i shërbimit të ri të kardiokirurgjisë dhe laboratorit.
Kryeministri Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë inspektuan shërbimin e kardiokirurgjisë që do të jetë qendra e dytë në vend pas QSUT. Shërbimi i ri i Kardiokirurgjisë në spitalin “Shefqet Ndroqi”, i jep një drejtim tjetër këtij spitali, pasi përmbyll një cikël shumë të rëndësishëm, përsa i përket sëmundjeve kardiologjike.
Përveç shërbimit të hemodinamikës, një shërbim i cili është investuar rreth 5 vite më parë, tashmë shtohet shërbimi i kardiologjisë, ku do të realizohen mbi 400 ndërhyrje operatore në zemër në vit. Me hapjen e këtij sherbimi, stafit mjekësor të “Shefqet Ndroqit” pritet ti bashkohen edhe mjekë që punojnë jashtë vendit.
