Deputetja që rezultoi në mënyrë të habitshme më e votuara e qarkut Elbasan, Sara Mila, 30-vjeçarja socialiste e cila deri dje nuk njihej as nga lagja e vet, nuk ka ngurruar sot të kritikojë hapur kolegët e saj Rilindas që kanë përfaqësuar zonën ndër vite.
E ftuar në një intervistë ajo u shpreh se Elbasani ka mungesë investimesh për shkak të pasivitetit të përfaqësuesve të mëparshëm në Kuvend.
“Investimet në qarqe duan një lobim pozitiv në qeveri. Por, konstatoj se, prej shumë vitesh, përfaqësuesit e Elbasanit në Parlament nuk kanë bërë sa duhet për të thithur investime të rëndësishme, që të rikthejnë shpresën tek të rinjtë. Ata kanë qenë të përgjumur,” deklaroi ajo.
Deputetja e re, e cila është ulur për herë të parë në sallën e Parlamentit, theksoi se mes qarqeve ekziston një “garë” për të siguruar projekte dhe fonde për zonat që përfaqësojnë.
“Ka një garë mes qarqeve, për të prezantuar projekte e për të siguruar sa më shumë fonde për zonat e tyre. Elbasani ka qenë i përgjumur në këtë drejtim,” shtoi Mila.
Edhe pse ajo nuk përmendi emra konkretë, aludimet janë të qarta. Për gati një dekadë, drejtimin politik të qarkut të Elbasanit e kanë mbajtur Taulant Balla dhe Arbjan Mazniku, dy figura me peshë brenda Partisë Socialiste.
Aktualisht, Balla është rikthyer në postin e kreut të Grupit Parlamentar Socialist, duke qenë kështu edhe shefi politik i drejtpërdrejtë i Miles. Ndërsa Mazniku është emëruar kryetar i Komisionit për Reformën Territoriale, një funksion me ndikim të lartë në strukturën parlamentare.
Sara Mila doli fituese me numrin më të madh të votave në qarkun e Elbasanit gjatë zgjedhjeve të 11 majit 2025, duke e cilësuar rezultatin si fryt të platformës dhe energjisë që solli në fushatë./ Joq