
Pas një hetimi që zgjati 18 muaj, autoritetet franceze kanë realizuar një ndërhyrje të madhe antidrogë duke sekuestruar 800 kilogramë kokainë gjatë natës mes 3 dhe 4 prillit.
Droga u gjet e fshehur në një anijeje mallrash me flamur liberian, që kishte nisur udhëtimin nga Brazili dhe kishte si destinacion Amsterdamin, në Holandë.
Operacioni u zhvillua në ujërat pranë Dunkerque (në veri të Francës), në momentin kur ekuipazhi po transferonte kokainën nga anija e madhe në një barkë peshkimi. Plani ishte që droga të transportohej fshehurazi deri në portin e vogël të Ouistreham, në Calvados.
Gjithë ekuipazhi i anijes – 22 marinarë nga Filipinet – janë ndaluar dhe ndodhen në paraburgim. Ndërkohë, tetë bashkëpunëtorë të tjerë, përfshirë tre peshkatarë, janë arrestuar në qytetet Le Havre, Ouistreham dhe Tancarvill
Gati 100 oficerë policie u aktivizuan në terren për të arrestuar të akuzuarit kur ata u kthyen në bordin e anijeve për në breg në të njëjtën kohë në Ouistrham dhe Tancarville.
Sipas policisë, këta persona ishin të përfshirë në logjistikën e trafikut të drogës dhe ndihmonin në shpërndarjen e ngarkesës. Peshkatarët e përfshirë përbëjnë një fenomen të ri që po shqetëson autoritetet franceze, pasi portet më të vogla po përdoren gjithnjë e më shpesh për trafik ndërkombëtar droge.
Të arrestuarit pretendojnë se kanë vepruar nën kërcënimin e rrjeteve kriminale, por hetimet po vazhdojnë për të përcaktuar saktësisht rolet dhe përgjegjësitë e secilit.
