Edhe njëherë brenda disa muajsh shtypi grek i referohet ndryshimit total që po planifikohet nga qeveria shqiptare për ishullin e Sazanit.

Me titullin Ishulli i bunkerëve po përgatitet të bëhet një “strehë” manjatësh –gazeta greke TA NEA që mbështetet tek një reportazh të agjencisë franceze të lajmeve AFP, përshkruan planet e Ivanka Trump në Shqipëri, të cilat do të transformojnë rrënjësisht ishullin shqiptar , dikur bazë ushtarake gjatë Luftës së Ftohtë.

Sipas Ta Nea vendin e gati 3000 bunkerëve dhe tuneleve strategjike të ndërtuar për të përballuar sulme bërthamore , do ta zënë sipas planit të vajzës si  ish-presidentit amerikan Donald Trump dhe partnerit të saj Jared Kushner , vilat luksoze, bankinat e jahteve dhe pishinat , një projekt që do ta kthejë ishullin në një “destinacion turistik të nivelit të lartë”,me respekt për mjedisin.

Ishulli ku dikur jetonin mbi 2000 vetë, me shkollë, spital apo edhe sallë kinemaje dhe që u shkatërrua në vitin 1991, tani për tani ka një pamje të virgjër,ndërsa edhe ndërtesat e dikurshme ushtarake të bazës janë rënuar. Ai u hap për njerëzit prej vitit 2015 gjatë muajve të verës.

Qeveria shqiptare që ka përkrahur iniciativën e Kushnerit e cila është ende në fazat e planifikimit dhe ka nevojë për miratim të mëtejshëm, po përpiqet për rivitalizimin e ishullit në një projekt për nxitjen e ekonomisë nëpërmjet turizmit, duke krijuar rezorte dhe infrastruktura në gjithë zonat bredetare ,për të konkuruar edhe vendet fqinje si Greqia apo Kroacia.

Ta Nea theksojnë edhe njëherë se Vlora , qyteti në jugperëndim të Shqipërisë ka qenë një nga përfituesit më të mëdhenj të bumit të turizmit në Shqipëri, me ndërtesa apartamentesh dhe resorte që shtrihen tashmë në brigjet e saj duke tërhequr miliona vizitorë çdo vit.

Top Channel