Aktorja mjaft e njohur Scarlet Johansson ka paditur Walt Disney Co. me akuzat se kompania më e madhe e argëtimit në botë nuk e mbajti premtimin për transmetimin e filmit më të fundit “Black Widow” vetëm në kinema, por e transmetoi atë në platformën Disney+. Në këtë film aktorja luan rolin e Natasha Romanoff (Black Widow).

Kompania kërkoi t’i largonte ndjekësit nga kinemaja dhe t’i tërhiqte në shërbimin e saj streaming, duke rritur përfitimet në platformë. Në ankesën e shkruar nga avokatët e Johansson në gjykatën supreme të Los Angeles tregohet se Disney me këtë veprim ka zhvlerësuar kontratën e aktores.

Disney u kundërpërgjigj agresivisht duke e quajtur ankesën e Johansson “një ankesë shqetësuese ndërkohë që bota po vuan nga efektet e tmerrshme dhe të zgjatura të pandemisë COVID-19”. Ata shtuan se kanë respektuar plotësisht kontratën e aktores që ka përfituar $20 milionë nga filmi.

“Ky me shumë mundësi nuk do të jetë rasti i fundit ku talentet e Hollywood-it kërkojnë nga Disney respektimin e kontratave të shkruara, pavarësisht pretendimeve të kompanisë” u shpreh avokati John Berlinksi. Kur aktorja ka nënshkruar kontratën me Disney, u sigurua që në të të shkruhej një “publikim i gjerë në kinema i filmit Black Widow”, të cilin ajo e kuptoi si publikim ekskluziv në kinema për 90 deri në 120 ditë.

geek